Berisha: Komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po mëson të vërtetën e padrinos Edi Rama

13:16, 26/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku një pjesë e rëndësishme iu kushtua inteligjencës artificiale dhe ministres virtuale Diella.

Berisha ka vënë në pikëpyetje pretendimet e Ramës për përdorimin e inteligjencës artificiale, ndërsa ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, kryeministri prezantoi Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Ai ka pretenduar se komuniteti ndërkombëtar është gjithnjë e më i informuar për zhvillimet politike dhe institucionale në Shqipëri.

Pyetje-përgjigje:

Shkëlzen Mustafa: Rama e përdori Shqipërinë dhe ministren virtuale Diella si një shembull ndërkombëtar të përdorimit të inteligjencës artificiale. Ne që jetojmë në Shqipëri e dimë mirë që Diella është një dështim dhe një gënjeshtër e madhe, ashtu sikurse çdo gjë tjetër që prodhon kjo qeveri. E pritshme që Rama në OKB të përqendronte fjalimin e tij tek inteligjenca artificiale në një kohë kur në Shqipëri është bërë objekt i vëmendjes ndërkombëtare për drejtësinë e kapur, korrupsionin dhe implikimin e zyrtarëve të lartë me banda.

Pyetja ime konkretisht është: Sa impakt ka fjalimi i Ramës sot në sytë e botës? A po ia arrin ai që të portretizojë Shqipërinë si një vend ku jeta është fushë me lule, apo tashmë ndërkombëtarët janë mirë informuar për realitetin në vendin tonë?

Sali Berisha: Shkëlzen, fundi moral i një njeriu është kur ai beson gënjeshtrat e tij, ose bën sikur i beson gënjeshtrat e tij.

Diellën e Edi Ramës e zbërthyen çip për çip specialistë të shquar të fushës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjetën zero inteligjencë artificiale në këtë bot. Ky është një bot me zero inteligjencë artificiale.

Pra, Edi Rama lexoi apoteozën për mashtrimin e tij dhe kjo do jetë barsoleta e këtij sesioni të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Njëra nga barsoletat, se ai ka dhe barsoleta të tjera që do dalin pak më vonë.

Ndaj dhe ju siguroj se komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po mëson të vërtetën e këtij delinkuenti, këtij padrinoje që përpiqet me sharlatanizëm të mashtrojë komunitetin ndërkombëtar.

Por populli ka shumë fjalë për gënjeshtrën. Thotë se ajo ecën shumë më shpejt se e vërteta. Thotë se e përsëritur, edhe mund të besohet. Por thotë dhe një tjetër: i ka këmbët e shkurtra.  Kështu që Edi Rama i ka kohërat e shkurtra.

Ju garantoj për këtë, është në kohërat më të fundit të tij, të turpshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco