Zbardhet plagosja me armë në Tiranë, shpallet në kërkim autori dhe arrestohet i plagosuri

Nga A2 CNN
26 Shtator 2026, 13:49 | Kronikë

Zbardhet plagosja me armë në Tiranë, shpallet në kërkim

Policia ka zbardhur plagosjen me armë zjarri të ndodhur më 25 shtator në rrugën “Hysni Gërbolli”, duke identifikuar autorin e dyshuar dhe personat e tjerë të përfshirë në konflikt.

Sipas policisë, ngjarja ka nisur pas një konflikti në një lokal. Gjatë përplasjes, S. P., 54 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur në këmbë Gj. K., 33 vjeç. Pas ngjarjes, 54-vjeçari është larguar dhe është shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu, një mjet prerës dhe municion luftarak.

Ndërkohë, gjatë verifikimeve, policia ka zbuluar se 33-vjeçari i plagosur ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet e Kosovës. Ai është arrestuar me qëllim ekstradimi, pasi Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me 50 ditë burgim për veprën penale që lidhet me posedimin e paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope.

Hetimet kanë zbuluar edhe persona të tjerë të përfshirë në konflikt. S. T., 20 vjeç, është arrestuar pasi dyshohet se ka plagosur me sende të forta një 18-vjeçar.

Ndërkohë, për B. P., 49 vjeç, dhe S. P., 18 vjeç, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Ata dyshohen se kanë goditur me sende të forta 20-vjeçarin S. T. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos