Fundi i shtatorit ka sjellë dëborën e parë në vend. Në zonat malore janë regjistruar reshje dëbore. Reshjet kanë përfshirë bjeshkët e Markofçës, ku ndodhen edhe banorë që vijojnë të qëndrojnë në stane. Sipas autoriteteve, reshjet e borës nuk kanë shkaktuar probleme, ndërsa trashësia e saj ka qenë e vogël. Edhe në Kukës, ulja e temperaturave dhe reshjet e shiut e të borës kanë sjellë tashmë një panoramë tipike vjeshtore. Qarku i Kukësit është përfshirë gjatë 24 orëve të fundit nga një ulje e ndjeshme e temperaturave dhe reshje shiu me intensitet të moderuar. Gjatë orëve të natës, në disa akse rrugore është evidentuar prani e gurëve dhe dherave, si pasojë e reshjeve. Gjatë mëngjesit të sotëm, prezencë inertesh është konstatuar në akset e Shishtavecit, Valbonës, Qafës së Malit dhe Bushtricës. Punonjësit e mirëmbajtjes kanë ndërhyrë në këto akse, duke bërë të mundur largimin e gurëve dhe dherave nga rruga. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk raportohet për akse problematike apo pengim të qarkullimit të mjeteve.