Zbardhet plagosja e 33-vjeçarit nga Kosova në Tiranë, shpallet në kërkim autori! Në pranga një 20-vjeçar dhe i dëmtuari
Policia e Tiranës ka zbardhur rrethanat e plagosjes me armë zjarri të ndodhur më 25 shtator në rrugën “Hysni Gërbolli” në Tiranë. Policia ka identifikuar autorin e dyshuar, një 54-vjeçar, i cili është shpallur në kërkim, ndërsa në pranga ka rënë një 20-vjeçar i përfshirë në konflikt.
Sipas policisë, gjatë një konflikti të nisur në një lokal, shtetasi S. P., 54 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur në këmbë shtetasin nga Kosova, Gjenk Karabeg, 33 vjeç, më pas është larguar nga vendngjarja.
54-vjeçari është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi një armë gjahu, një thikë dhe municion luftarak.
Në vijim të hetimeve, policia arrestoi në flagrancë S. T., 20 vjeç, i cili dyshohet se gjatë konfliktit është përfshirë në përleshje me disa persona duke përdorur sende të forta. Si pasojë, është dëmtuar A. P., 18 vjeç.
20-vjeçari akuzohet për veprën pelane “Plagosja e lehtë me dashje”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”.
Ndërkohë, në gjendje të lirë po procedohen B. P., 49 vjeç, dhe S. P., 18 vjeç, të dyshuar se kanë goditur me sende të forta 20-vjeçarin S. T. Gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan edhe disa fishekë.
Policia ka vënë në pranga edhe të plagosurin, Gjenk Karabeg pasi rezulton person në kërkim nga autoritetet e Kosovës.
Ai është arrestuar me qëllim ekstradimi, pasi rezulton i dënuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë me 50 ditë burgim për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.




