Reforma Territoriale/ Berisha: E shohim jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin dhe ripopullimin e vendit

Reforma Territoriale/ Berisha: E shohim jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin dhe ripopullimin e vendit

13:37, 26/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një seancë pyetje-përgjigjesh me qytetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për projektin e opozitës për reformën administrative-territoriale dhe rëndësinë që, sipas tij, ka forcimi i pushtetit vendor.

Berisha ka argumentuar se ndarja territoriale duhet të shërbejë për zhvillimin e zonave rurale dhe ripopullimin e tyre, duke kundërshtuar modelin aktual me 61 bashki. Ai ka deklaruar se PD ka depozituar një projekt që parashikon shtimin e njësive vendore dhe se opozita do të ndjekë hapa ligjorë dhe politikë për kundërshtimin e reformës së qeverisë.

Pyetje-përgjigje:

Rubin Dashi: Zoti Berisha, kam dy pyetje për reformën territoriale. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar dje draft-ligjin për ndarjen administrative territoriale dhe në relacionin tuaj flitet për autonomi financiare dhe zhvillim lokal. Çfarë garancish apo mekanizmash konkretë parashikon ky projektligj që këto bashki të reja, shpesh me popullsi të vogël ose të paktën në numër banorësh, të mos mbeten plotësisht të varura nga grantet e pushtetit qendror?  Dhe pyetja e dytë: fati i reformës dihet si do të shkojë, pasi Rama i ka votat që i nevojiten për ta kaluar pa patur dakordësinë e opozitës. Ju si PD çfarë hapash do të ndërmerrni?

Sali Berisha: Shumë e drejtë, ke pyetur për një çështje jashtëzakonisht themelore. Zoti Dashi, Edi Rama po përdor performancën financiare gjoja si kriter për ekzistencën ose mos-ekzistencën e një njësie të qeverisjes vendore. Po përdor shpatën e Demokleut dhe po përdor një mekanizëm për t'i asgjësuar ato.

Gjatë periudhës së qeverisjes së mëparshme ka patur 410 komuna dhe bashki në të gjithë vendin. Komunat dhe bashkitë në të gjithë vendin kishin gjithsej 19,500 punonjës. Sot ka 61 bashki dhe ka 40,000 punonjës. Sot barra që paguan taksapaguesi për punonjësit e qeverisjes vendore është dy herë më e madhe.

Cili ishte dallimi? Jashtëzakonisht i rëndë. Shqipëria, siç e dini ju, është një vend ku 80% të sipërfaqes e ka kodra dhe male. Në qoftë se ti vendos t'i braktisësh ato, ti faktikisht krijon një shpopullim masiv dhe privon shfrytëzimin e pasurive të jashtëzakonshme në mbarë vendin.

Pse ne ishim të kënaqur me këto komuna dhe bashki? Ne ishim të kënaqur sepse qytetarët kudo që ishin, merrnin shërbimet që u duheshin pa udhëtuar orë të tëra, pa pritur ditë të tëra.

Së dyti, më e rëndësishmja, të gjitha këto njësi të qeverisjes vendore ishin njëkohësisht njësi investuese. Dhe ne vendosëm një raport me to. Ky raport ishte: ju bëni projektet, qeveria jep fondet. Dhe kjo bëri që ne të rikonstruktojmë dhe të ndërtojmë në Shqipërinë rurale 8,300 kilometra rrugë.

Kjo bëri që shqiptari sot të mund të shkojë të kapë shumicën e majave të maleve të veta.

Kjo bëri që të rritet tregu, tokat të vlerësohen kudo, dhe mbeten edhe 3-4,000 kilometra për t'u finalizuar komplet infrastruktura.

Pra, njësitë e qeverisjes vendore janë të pazëvendësueshme për zhvillimin e vendit.

E kam thënë shumë herë këtë shembull: Agim Hoxha në komunën Xhafzotaj në katër vite asfaltoi 49 kilometra rrugë, ndërkohë që Edi Rama si kryetar bashkie i Tiranës asfaltoi gjithsej 12 kilometra rrugica dhe rrugë.

Pse e theksova këtë? Ekzistenca e njësive të qeverisjes vendore është jetike.

Shko pak, dil jashtë Tiranës, në qoftë se gjen një investim të vetëm në Shëngjergj, në Zall-Bastar, në Krrabë e kudo. Jo, ka pushuar koha për to, nuk ekziston.

Pra, ne e shohim këtë reformë si jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin dhe ripopullimin e vendit.

I përshëndes të gjithë banorët e Poliçanit, të Divjakës, të Maliqit, të Dimalit, të Fushë-Arrëzit dhe të gjitha bashkive që Edi Rama ka vendosur t'i asgjësojë.

Ne nemi dorëzuar projektin tonë në të cilin shtohen edhe 40 bashki të tjera. Natyrisht, ai nuk lejon sepse centralizimi është rruga më e sigurt e kontrollit më të plotë.

Por ne do të marrim çdo masë ligjore. Qytetarët do të vijnë në protestat më të fuqishme që ka njohur Shqipëria para parlamentit.

Nuk mund të dorëzohen komunat dhe bashkitë tek një padrino që Shqipërinë e konsideron si një paketë malesh për trafikantët e drogës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco