Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit Kibernetik, duke konfirmuar angazhimin për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimeve në hapësirën digjitale.
Dokumenti u nënshkrua në Nju Jork nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Përmes këtij akti, Shqipëria angazhohet për një bashkëpunim më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për përballimin e kërcënimeve kibernetike, të cilat prekin gjithnjë e më shumë qytetarët, bizneset dhe institucionet publike.
Konventa synon të krijojë një kuadër të përbashkët për bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit kibernetik, duke lehtësuar shkëmbimin e provave elektronike dhe duke forcuar përpjekjet për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të rënda në hapësirën digjitale.

Ministri Ferit Hoxha u shpreh se për Shqipërinë, forcimi i sigurisë, qëndrueshmërisë dhe besimit në hapësirën teknologjike është pjesë e rëndësishme e agjendës së transformimit digjital të vendit.
“Ndërsa teknologjia vazhdon të krijojë mundësi të reja për rritje dhe inovacion, ne duhet të sigurohemi që aftësia jonë për të mbrojtur ata që mbështeten në potencialin e saj, të mund të rritet paralelisht me këto zhvillime”, deklaroi Hoxha.
Kreu i diplomacisë shqiptare theksoi gjithashtu se Shqipëria do të vijojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e sigurisë në hapësirën digjitale.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë për të çuar përpara këto parime dhe për të kontribuar në një mjedis digjital më të sigurt, më të mbrojtur dhe më të besueshëm për të gjithë”, shtoi ministri Hoxha.

