Që ish-drejtoresha e SHISH Vlora Hyseni nxirrte sekretet shtetërore për t’i shërbyer interesave kriminale, Sali Berisha thotë se e ka denoncuar prej kohësh. Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarë, Kreu i PD e cilëson si një skandal të përmasave të mëdha.

“Për bashkëpunim me krimin dhe për nxjerrjen e sekretit i shefit të shërbimeve është më i rëndë se arrestimi i çdo zyrtari tjetër të vendit për këto dy vepra penale sepse ai presupozohet se është i certifikuar për shkallën më të lartë të besimit. Vlora Hyseni arrestohet apo shpallet urdhër arresti në një kohë kur ajo nuk ishte në qeveri, çka dëshmon se qeveritarët aktualë donin me çdo kusht që ajo të kthehet. Por ajo u kthye dhe me sa duket është kthyer për t’u dhënë restin bashkëpunëtorëve të vet që e tradhtuan, sipas saj”, tha Berisha.

E ndërsa për çështjen e Vlora Hysenit pritet që Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pyetjes nëse Berisha do të jetë i pranishëm, i përgjigjet kështu.

“Nuk kam marr asnjë ftesë”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe tek fjalimi i kryeministrit Rama në asamblenë e OKB-së, duke e cilësuar si të turpshëm për faktin se nuk adresoi në asnjë moment çështjen e 4 ish-luftëtarëve të UÇK-së.

“Nuk kemi pasur kurrë një përfaqësim kaq të turpshëm, ku kreu i narkoshtetit shqiptar, i fandaksur, i tmerruar nga protesta rinore, qytetare dhe skandalet e njëpasnjëshme, i kushtoi fjalën e tij algoritmit dhe tmerrit që ndjen nga algoritmi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në këtë fjalim, në atë sallë e cila jo rastësisht, por në një akt përçmimi madhor ishte bosh gjatë fjalës së tij, Edi Rama nuk shqiptoi një herë të vetme fjalën Kosovë dhe fjalën UÇK apo lider të UÇK-së”, tha Berisha.

E ndërsa ambasadori i ri i SHBA-së Eric Ëendt ka nisur zyrtarisht misionin e tij në Shqipëri, lideri i opozitës thotë se nuk ka asnjë dijeni për ceremoninë e prezantimit që pritet të mbahet më 2 tetor.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:55
Ndjekësi vë në vështirësi Berishën: A je ftuar nga ambasadori amerikan? Kreu i PD pa ftesë: S’kam dijeni për ceremoninë (VIDEO)

Ambasadori i SHBA-së, Eric Wendt nisi misionin në Tiranë, ndërsa më 2 tetor do të zhvillojë pritjen zyrtare ku të ftuar do të jenë politikanët e të gjithë krahëve. Ardhjen e tij e komentoi edhe kreu i PD, Sali Berisha, i cili vetë konfirmoi se deri më tani nuk ka dijeni për ceremoninë dhe nuk ka një ftesë në dorë.

Pyetje: Sot ambasadori i ri i SHBA-së Eric Wendt, i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Begaj, duke nisur zyrtarisht misionin e tij në Shqipëri. Ndërkohë, më datë 2 Tetor, Ambasada e SHBA-së do të organizojë ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri. A jeni i ftuar në këtë event?

Berisha: I uroj mirëseardhjen ambasadorit, nuk kam asnjë dijeni e për ceremoninë.

Në pritjen e fundit të organizuara nga e Narkuara me Punë e SHBA, Nancy Van Haron për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, Sali Berisha, i shpallur non grata nga SHBA nuk shkoi dot.