Presidenti Begaj zbardh takimin me ambasadorin e ri të SHBA, Eric Wendt
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
Presidenti i Republikës i pranoi Letrat Kredenciale Ambasadorit amerikan dhe i uroi suksese në këtë mandat.
Kreu i Shtetit rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë kuadër, Presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria do të vijojë të angazhohet plotësisht në thellimin e marrëdhënieve, duke u mbështetur në përparësitë e politikës së saj të jashtme dhe në përgjegjësitë që burojnë nga marrëdhënia e ngushtë.
“Sot prita Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Sh. T. Z. Eric Wendt, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.
I urova Ambasadorit Wendt suksese në misionin e tij dhe rikonfirmova vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Shqipëria do të vijojë të jetë plotësisht e angazhuar në thellimin e marrëdhënieve dhe në avancimin e interesave tona të përbashkëta.
Shtetet e Bashkuara mbeten një partner i pazëvendësueshëm për Shqipërinë, si dhe për sigurinë dhe prosperitetin tonë”, shprehet Begaj.

