Fshati piktoresk i Vunoit në bregdetin e Himarës merr një status të ri mbrojtjeje. Këshilli i Ministrave ka vendosur ta deklarojë atë pasuri kulturore të paluajtshme me statusin “Qendër Historike”.

Përmes këtij vendimi, qeveria ka përcaktuar zonën e re mbrojtëse si dhe ka miratuar planin e integruar për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e fshatit, duke shfuqizuar kështu rregulloren e mëparshme të vitit 2016.

“Mirëmëngjes nga Vunoi, fshati piktoresk i shtëpive prej guri mbi Jon dhe rrugicave karakteristike, për të cilin dje, në mbledhjen e qeverisë, miratuam planin e ri për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin. Një hap që u jep banorëve më shumë qartësi për mirëmbajtjen, restaurimin dhe rikthimin në përdorim të shtëpive tradicionale, duke ruajtur identitetin e fshatit dhe duke krijuar më shumë mundësi rijetëzimi, për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit kulturor dhe ekonomisë vendase”, shkroi Gonxhja.

Harta e re gjeohapësinore do të publikohet në Gjeoportalin Kombëtar dhe do të regjistrohet menjëherë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.