Rama heshti për Kosovën në OKB, nuk iu kundërvu Vuçiçit dhe zgjodhi të flasë për Diellën

Rama heshti për Kosovën në OKB, nuk iu kundërvu Vuçiçit dhe zgjodhi të flasë për Diellën

Nga Fatmir Mediu - 26/09/2026

- OKB-ja, një herë në vit, mblidhet në nivelin më të lartë të lidershipit botëror për të diskutuar çështjet më të rëndësishme gjeopolitike.

Pjesëmarrja në këto takime, si Kryeministër apo President, nuk është një privilegj personal që lidhet me personin e Kryeministrit apo Presidentit, por me përgjegjësinë për të përfaqësuar shtetin, interesat shtetërore dhe kombëtare.

- Shqiptarët u përfaqësuan nga Edi Rama. Kosova nuk është pjesë e OKB-së dhe, sidomos pas vendimit të Gjykatës së Hagës kundër liderëve të UÇK-së, kundër Kosovës dhe të ardhmes së saj, kishte nevojë për një zë që të fliste me arsye dhe me kurajë. Të fliste për të drejtën e luftës dhe pavarësisë së Kosovës, për të ardhmen e saj në OKB, NATO dhe BE, dhe përse kjo është një vlerë e shtuar jo thjesht për shqiptarët, por edhe për Ballkanin dhe BE-në, për paqen dhe stabilitetin, të cilat sot janë më të kërcënuara se kurrë.

- Kjo ishte më se e domosdoshme, sidomos pas dy momenteve të fjalës së Presidentit serb Vuçiç, mikut të Edi Ramës, i cili u përpoq që, në fillim të Asamblesë, të zhbënte luftën, pavarësinë e Kosovës dhe gjenocidin serb. Konsideroi të paligjshme ndërhyrjen e NATO-s dhe mohoi vrasjen e mijëra shqiptarëve të Kosovës, spastrimin etnik dhe përdhunimet nga Millosheviçi. Është po i njëjti President i Serbisë, i cili priti me nderime, me një ceremoni shtetërore, Ratko Mlladiçin, të shpallur kriminel lufte. Këto nuk janë sjellje personale të Vuçiçit, por një strategji e mirëmenduar me aleatët e tij rusë dhe kinezë, si dhe me lobime dhe pagesa për ta bërë Europën dhe SHBA-në të heshtin. Vuçiç e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë dhe do të bëjë çdo gjë, politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht, për ta arritur këtë qëllim. Po ashtu, Vuçiç po kërkon të krijojë një partneritet strategjik me Amerikën, por duke ruajtur të palëkundura marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën. Këtë e deklaron hapur dhe vepron hapur.

- I vetmi drejtues shteti që iu kundërvu politikës së Vuçiçit dhe Serbisë ishte Kryeministri kroat, i cili është i vetmi shtet në Ballkan që i ka dalë hapur përballë politikisht dhe ushtarakisht Serbisë dhe ka refuzuar çdo marrëdhënie ekonomike, strategjike dhe politike me Serbinë, ndryshe nga Shqipëria nën qeverisjen e Ramës, e cila, për interesa pushteti, e ka orientuar politikën e saj në Ballkan drejt interesave strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike me Serbinë, nëpërmjet politikave të përbashkëta Rama–Vuçiç. Marrëdhënie e cila ka dëmtuar rëndë peshën dhe të ardhmen e Kosovës.

- Përballë kësaj situate, të gjithë shqiptarët prisnin që dikush të fliste për të ardhmen e Kombit dhe ky duhet të ishte Edi Rama.

Ky i fundit bën patriotin përballë shqiptarëve, në një darkë të shtruar nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan, ku ishin të ftuar diaspora në Amerikë dhe përfaqësues të shteteve të Ballkanit ku jetojnë shqiptarë.

Edi Rama shpall Amerikën dhe Joe Bidenin tradhtarë të Kosovës dhe të Hashim Thaçit, një qëndrim skandaloz karshi vendit, i cili është i vetmi që mund të mbështesë sot Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, si dhe që mund të mbështesë Kosovën.

A e bën këtë qëllimisht, sepse e di shumë mirë se mes nesh ka naivë dhe të marrë që budallallëkun e marrin për trimëri dhe patriotizëm, pavarësisht kostove që krijon?

Rama në OKB kishte tre probleme për të diskutuar:

 1. Se kishte krijuar Diellën dhe i kishte treguar botës se sa përpara ishte teknologjikisht Shqipëria në implementimin e AI-së.

 2. AI-ja dhe Diellëza mund të ktheheshin në kërcënim për botën.

 3. Se, edhe pse ai kishte shpikur Diellin (Diellëzën), çuditërisht, shqiptarët dhe “Flamingot”, të lidhur me “armiqtë e jashtëm”, i kishin vjedhur e manipuluar algoritmin, mjet që Rama e ka përdorur prej kohësh kundër opozitës, shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Ky është kulmi i marrëzisë, megalomanisë dhe hipokrizisë.

Në të gjithë atë leksion teknologjik në OKB, asnjë fjalë për Kosovën, për Hashim Thaçin, asnjë kundërshtim për Vuçiçin.

- Asnjëherë shqiptarët nuk kanë qenë më të ndarë dhe pa orientim. Atdheu, Shqipëria, është ulur në gjunjë dhe jo vetëm nuk ngjan me një vend të NATO-s, por mënyra se si funksionojnë institucionet, si funksionon konstruksioni kushtetues dhe ligjor, si funksionon arkitektura e sigurisë kombëtare, do të bënte zili edhe vendet e botës së tretë, “Republikat e Bananeve”.

- Shqipëria ka sot kundërshtar algoritmin dhe AI-në, por edhe qeverinë e vet, pushtetin e krimit dhe korrupsionit.

Çështja shqiptare ka kundërshtare papërgjegjshmërinë politike.

Po provohet proverbiale thënia: “Nëse do t’i mundësh shqiptarët, lëri të merren me vetveten.”

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco