Sezoni turistik po shkon drejt fundit, por për një pjesë të punonjësve të huaj puna do të vijojë edhe gjatë dimrit. Nga fasoneritë e peshkimi, te hotelet, restorantet dhe shërbimet, prania e tyre në tregun e punës në Durrës po zgjerohet. Sipas specialistëve, bizneset po kërkojnë t’i mbajnë gjatë gjithë vitit dhe të dhënat e 8-mujorit tregojnë rritjen e kërkesës për këtë forcë pune. Këtë vit në Durrës janë lëshuar gjithsej 3 200 leje unike për punëmarrës të huaj, nga 2 140 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose rreth 50 % më shumë. Edhe lejet e reja, që u dhanë për herë të parë, janë rritur me afro 31 %. Numri më i madh i punonjësve të huaj janë nga Egjipti, India dhe Filipinet. Nuk mungojnë as shtetasit nga Turqia, Mianmari, Italia dhe vende të tjera. "Jemi nga Ukraina, Mariupoli, dhe jetojmë e punojmë këtu prej 4 vitesh. Kemi një biznes restoranti këtu. E hapëm në vitin 2023, vetëm për sezonin, sepse donim të shihnim se si do të shkonte në Shqipëri dhe po shkon shumë mirë. Po zgjerohemi. Ndihem si në shtëpi tani. E pamundur të kthehem në qytetin tim që e ka marrë Rusia. Kam dy fëmijë, që ndjekin shkollën dhe po mësojnë gjuhën shqipe, ndaj besoj se do të qëndrojmë këtu gjithë jetën." Për një pjesë të tyre, vijimi i punës pas sezonit lidhet me mundësinë për të siguruar më shumë të ardhura për veten dhe familjet e tyre.