Rusia sulme të reja në Ukrainë, viktima e të plagosur. Moska mohon se ka shënjestruar civilët
Sulmet me dronë rusë kanë shkaktuar viktima dhe dëme të shumta në Ukrainë, ndërsa Kievi dhe Zaporizhzhia janë përfshirë nga valë të reja goditjesh.
Në Zaporizhzhia, dy gra u vranë dhe një burrë e një fëmijë u plagosën, pasi një dron shënjestroi një zonë të banuar. Sipas autoriteteve ukrainase, një shtëpi private u shkatërrua, ndërsa u dëmtuan edhe një ndërtesë banimi dhe ambiente tregtare.
Edhe Kievi u godit nga sulmet. Katër persona u plagosën, ndërsa nje bllok apartamentesh e një supermarket u përfshinë nga zjarri. Ekipet e emergjencës punuan në disa zona të kryeqytetit për të kontrolluar dëmet dhe për të nxjerrë banorët nga ndërtesat e prekura.
Sulmet e 26 shtatorit pasojnë një tjetër valë të rëndë goditjesh në Kiev një ditë më parë. Sipas kryebashkiakut Vitali Klitschko, shtatë persona, mes tyre një 14-vjeçar, u vranë dhe të paktën 57 të tjerë u plagosën.Një prej sulmeve goditi një qendër biznesi, ndërsa shpërthimet shkaktuan dëme edhe në ndërtesa dhe biznese përreth.
Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se vetëm gjatë shtatorit janë regjistruar të paktën 200 viktima civile në Ukrainë. Nderkohe jane dëmtuar edhe banesa, spitale dhe dyqane .Por Rusia mohon se shënjestron qëllimisht civilët.




