Vetëm një ditë pasi vodhi një makinë në Tepelenë, 30-vjeçari Mariglen Kondi u arrestua në Durrës, teksa tentoi t’i ikte Policisë. Gjatë arratisjes, ai përplasi 4 automjete, ndërsa më pas braktisi makinën dhe tentoi të largohej me vrap.
Rreth orës 23:00, patrulla e Policisë së Plazhit konstatoi në rrugën “Pavarësia” automjetin pa targa dhe me xhama të zinj, që kryente manovra të rrezikshme. Kur efektivët i bënë shenjë të ndalonte, Kondi shtoi shpejtësinë dhe u largua, duke goditur gjatë ndjekjes 4 automjete dhe duke rrezikuar qytetarët dhe punonjësit e Policisë.
Pas përplasjes, 30-vjeçari braktisi automjetin dhe tentoi të largohej me vrap, por u neutralizua dhe u vu në pranga.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh Durrës, gjatë patrullimit në territor, në rrugën “Pavarësia”, rreth orës 23:00, kanë konstatuar një automjet pa targa dhe me xhama të zinj, që kryente manovra të rrezikshme në rrugë, dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Drejtuesi i automjetit, sapo vuri re prezencën e policisë, shtoi shpejtësinë dhe tentoi t’u largohej shërbimeve, të cilët i bënë shenjë ndalimi. Në ikje e sipër, drejtuesi i automjetit aksidentoi 4 automjete, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe të punonjësve të policisë, dhe më pas braktisi automjetin, duke tentuar të largohej me vrap, por u neutralizua nga shërbimet e policisë.
Nga verifikimet paraprake rezultoi se personi i ndaluar, shtetasi M. K., 30 vjeç, ishte person i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, pasi një ditë më parë kishte vjedhur në Tepelenë automjetin me të cilin tentoi t’i largohej policisë”, njoftoi Policia.
Nga verifikimet rezultoi se Kondi ishte shpallur në kërkim për vjedhjen e një automjeti një ditë më parë në Tepelenë. Ai tashmë akuzohet edhe për mosbindje ndaj urdhrit të Policisë dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

