Saimir Tahiri ka bërë një postim në rrjetet sociale ku shfaqet në një video, bashkë me një grup xhirimi duke u përgatitur, në dukje, për një rrëfim apo një emision. Ende nuk dihet se çfarë ish ministri i Brendshëm ka menduar të bëjë, teksa situata politike në vendin tonë prej kohësh nuk është e qetë.
Megjithatë, ai ka lënë një mbishkrim në videon e shkurtër: “Disa histori i kam jetuar. Disa të tjera i kam dëgjuar të tregohen për mua. Do shihemi së shpejti. Ka kaq shumë për të thënë!”
Ish–ministri nuk duket se ka ndryshuar shumë në pamje, përpos flokëve të rënë, dhe mjekrës së zbardhur duket se nuk ka ndryshuar në fizionomi.
Saimir Tahiri u largua nga politika aktive me dorëheqje nga posti i deputetit por më pas gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me 1 vit burg për shpërdorim detyre. Në gjithë panoramën e deritanishme të çështjeve që janë hapur ndaj shumë zyrtarëve, ministrave e ish-ministrave të kabinetit Rama, rasti i tij mund të jetë unikal, me dënimin për shpërdorim detyre për 140 dollarë.
