Me homazhe dhe nderime u shënua 28-vjetori i Masakrës së Gollubovcit, një prej ngjarjeve më të rënda të vitit 1998 në Komunën e Malishevës. Më 26 shtator të atij viti, në këtë masakër u vranë 28 civilë shqiptarë. Në të njëjtën ditë u përkujtuan edhe tre dëshmorët e Komunës së Malishevës, Ilaz Javori, Rasim Maloku dhe Selman Deligashi, të cilët ranë gjatë luftës.
Të lidhura
None found
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë familjarë, qytetarë të shumtë, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, drejtorë të drejtorive komunale dhe përfaqësues të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Malishevë.
Krasniqi e cilësoi Masakrën e Gollubovcit si një nga plagët më të rënda të luftës dhe kërkoi që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
“Kjo ditë na rikthen dhimbjen e një prej ngjarjeve më të rënda të luftës, kur 28 qytetarë të komunës sonë u vranë në mënyrë mizore. Këto krime dëshmojnë qartë se serbët ishin ata që kryen krime, jo çlirimtarët. Megjithatë, gjykatat vazhdojnë të dënojnë çlirimtarët, ndërsa autorët e këtyre krimeve jetojnë të lirë. Si komunë, nuk do të qëndrojmë të heshtur përballë këtyre padrejtësive dhe kërkojmë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Ju, familje, duhet të jeni të forta, sepse falë këtij gjaku dhe kësaj sakrifice ne sot jetojmë të lirë dhe i përkujtojmë të rënët”, tha Krasniqi.
Duke folur për tre dëshmorët që ranë në këtë datë, nënkryetari i Malishevës nënvizoi se kujtimi për sakrificën e tyre do të përcillet brez pas brezi.
“Për sa kohë të jetojë kombi, dëshmorët do të kujtohen, sepse falë gjakut dhe sakrificës së tyre për kombin, ne sot gëzojmë lirinë”, u shpreh Krasniqi.
Kastriot Berisha, në emër të Familjeve të Dëshmorëve në Malishevë, çmoi kontributin e dëshmorëve të kombit dhe të të gjithë personave që dhanë kontribut në luftën çlirimtare.
“Falë kësaj sakrifice dhe këtij gjaku të derdhur ndër shekuj, populli shqiptar jeton i lirë dhe ne sot ndërtojmë vendin”, tha Berisha.
Familjarët shprehën mirënjohje për institucionet dhe pjesëmarrësit për nderimet e bëra gjatë homazheve. Ata theksuan se ceremonitë përkujtimore kanë rëndësi të madhe për familjet që gjatë luftës humbën fëmijët, vëllezërit, motrat, nënat dhe baballarët e tyre.
