Më poshtë postimi i plotë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Sot, më 26 shtator 2026, në të kremten e Jetëndërrimit të Ungjillorit Joan, u kremtua me madhështi dhe solemnitet dita e emrit të Fortlumturisë së Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
Shërbesat e Shenjta panagjirike, u drejtuan nga Kryepiskopi Joan në bashkëmeshim me të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Kllerikë të shumtë nga të gjitha Mitropolitë e vendit morën pjesë në këtë kremtim madhështor, si edhe qindra besimtarë nga vendi dhe jo vetëm ishin të pranishëm në adhurimin e ditës së sotme.
Në fund të Liturgjisë Hyjnore, Mitropoliti i Fierit, Hirësi Nikolla në emër të Sinodit të Shenjtë, klerikëve dhe popullit besimtar i uroi Kryepiskopit Joan vite të shumta, plor hir dhe shëndet në krye të Kishës sonë.
Ndërsa Fortlumturia e Tij, Joani, pasi falenderoi të githë Anëtarët e Sinodit, klerikët dhe besimtarët e mbledhur për të nderuar shenjtorin e dashurisë, theksoi dashurinë që duhet të kemi për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin. Nga jeta e nxënësit të dashur të Krishtit, Kryebariu Joan rikujtoi për të gjithë mësimin që shën Joani u la nxënësve të tij: "Doni njëri-tjetrin, dhe kjo mjafton".
Gjithashtu, Kryepiskopi Joan falenderoi për pjesëmarrjen e tij në këtë kremtim madhështor atë Theonain nga Mali i Shenjtë.
Kjo ditë e veçantë u mbyll me pritjen e ngrohtë të organizuar në Sallën pranë Katedrales, në të cilën besimtarë të shumtë të të gjitha moshave, fëmijë e nxënës dhe përfaqësues nga Trupi Diplomatik, akademikë, politikanë, deputetë, mjekë, artistë, studiues, përfaqësues të medias etj. uruan përzemërsisht dhe me shumë mirënjohje Kryebariun Joan: Për shumë vjet, o Kryezot!
Vite të shumta, plot hir e shëndet në drejtim të Kishës sonë!
A.K./TemA
Lini një Përgjigje