Zia dhe heshtja ka pllakosur sot në familjen e artistit të njohur Besart Kelmendi, pasi mes lotësh e dhimbjesh nëna, babai, motra Blerina dhe vetë Gjesti kujtojnë të voglin e shtëpisë, Eldionin i cili si sot para një viti më 26 shtator të 2025 humbi jetën tragjikisht nga aksidenti me motor.
Ashtu siç kemi raportuar dhe ne, por dhe mediat e Kosovës, aksidenti tragjik ndodhi 26 shtatorin e vitit që lamë pas në orën 14:00 në fshatin Qungur të komunës së Pejës, ku një makinë u përplas me motorin me katër goma me të cilën lëvizte vëllai i Gjestit.
Eldioni nuk arriti t’u mbijetonte dot plagëve të marra, duke mbyllur sytë përgjithmonë në vendngjarje në moshën 15-vjeçare e duke lënë pas një plagë të pashërueshme për familjen, miqtë dhe të gjithë shokët e tij të cilët prej një viti ulen në bankat e shkollës pa të.
“Rreth orës 14:00, në fshatin Qungur të komunës së Pejës ka ndodhur një aksident mes një veture dhe një katërçiklete. Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa ekipi mjekësor ka konfirmuar vdekjen e një personi në vendin e ngjarjes dhe lëndimin e rëndë të një tjetër, i cili është dërguar me urgjencë në QKUK” bëri me dije Policia e Kosovës për aksidentin e rëndë.
Humbjen e të vëllait, Gjesti e përjetoi shumë keq. Një ngjarje që e goditi m’u në zemër, sidomos pas dyshimeve se vetë Gjesti ia kishte blerë vëllait të tij motorin që u bë dhe shkaktar i vdekjes së tij.
Që nga 26 shtatori i 2025, dita e zezë për të që i mori të shtrenjtin e tij Eldionin, e deri në janar të 2026, Gjesti “u zhduk” nga rrjetet sociale. Artisti nga Kosova u rikthye në rrjet me një reagim në shenjë falenderimi për të gjithë mesazhet ngushëlluese që mori për humbjen e Eldionit. Disa ditë më pas, Gjesti publikoi këngën e re “Memories”, e cila qartazi ishte një dedikim për vëllain e tij.
Ditën e sotme, me rastin e një vjetorit të ndarjes nga jeta të vëllait të tij, Gjesti, në këto momente që raportojmë akoma nuk ka reaguar. Megjithatë pritet për t’u parë në vijim nëse do të kemi një postim nga artisti për këtë ditë që i dha atij “goditjen” më të madhe.
Postimi më i fundit në rrjet i Besart Kelmendit daton me 5 gusht, kur ai ndau foto nga prapaskenat e projektit muzikor që e ka në bashkëpunim me artisten Dhurata Dora, “Gasolina”.
