Zgjedhjet e 11 majit, PD kërkon ngritjen e Komisionit Hetimor: “Vendimi i Kushtetueses është detyrues”
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit nisjen e procedurave për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e një Komisioni Hetimor lidhur me përdorimin e burimeve shtetërore dhe ndikimin e krimit të organizuar në zgjedhjet e 11 majit.
Kërkesa është paraqitur përmes një letre zyrtare nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, drejtuar kryetarit të Kuvendit. Në letër kërkohet zbatimi i vendimit nr. 62/2026 të Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas opozitës, është botuar në Fletoren Zyrtare më 22 korrik 2026 dhe ka hyrë në fuqi në të njëjtën ditë.
Sipas Grupit Parlamentar të PD-së, në bazë të nenit 87 të Rregullores së Kuvendit, çështja duhej të ishte shqyrtuar nga Këshilli i Legjislacionit brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Në letrën e tij, Bardhi pretendon se Kuvendi nuk ka ndërmarrë ende hapat e nevojshëm për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai e cilëson këtë si mosveprim nga ana e drejtimit të Kuvendit dhe argumenton se vonesa, sipas opozitës, cenon të drejtat e pakicës parlamentare dhe parimet e shtetit të së drejtës.
PD thekson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese dhe kërkon që procedurat parlamentare të vijojnë pa vonesa.
Në përfundim të letrës, Grupi Parlamentar i PD-së i kërkon kryetarit të Kuvendit të marrë masa për zbatimin e vendimit dhe për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në shkresën e mëparshme të grupit parlamentar, të depozituar më 27 korrik 2026.

