Food & Drink

Ushqimi ka festivalin e tij të ideve/ Në Bristol diskutohet se çfarë do të hamë në të ardhmen!

Në Bristol të Anglisë ka nisur këtë fundjavë një festival që nuk është ndërtuar vetëm rreth pyetjes “çfarë do të hamë?”, por edhe “si do të prodhohet ushqimi që hamë?”. FŌDA, i përshkruar si një “Festival of Food Ideas”, zhvillohet më 26 dhe 27 shtator në qendrën e artit Arnolfini dhe bashkon kuzhinierë, prodhues, ekspertë, fermerë dhe publikun për të diskutuar të ardhmen e ushqimit.

Në qendër të programit janë tema që po ndikojnë gjithnjë e më shumë në mënyrën si mendojmë për ushqimin: shëndeti, bujqësia rigjeneruese, edukimi dhe mënyra se si sistemi ushqimor mund të bëhet më i qëndrueshëm. Përveç diskutimeve, festivali ka një treg me prodhues të pavarur ushqimesh dhe pijesh, ekspozita dhe workshop-e.

Një prej aktiviteteve më interesante zhvillohet të dielën dhe quhet “The Sourdough Exchange”. Vetë prania e sourdough në një festival të dedikuar të ardhmes së ushqimit tregon sa shumë ka ndryshuar perceptimi për bukën artizanale. Ajo që disa vite më parë ishte një hobby relativisht niche, sot është pjesë e një bisede më të madhe rreth fermentimit, prodhimit lokal dhe marrëdhënies me ushqimin.

Por FŌDA është interesant edhe për një arsye tjetër: festivalet gastronomike nuk po kufizohen më te degustimi. Ushqimi po trajtohet si kulturë, ekonomi, shëndet dhe problem mjedisor njëkohësisht. Vizitori mund të blejë diçka nga një prodhues lokal, por edhe të dëgjojë një diskutim për mënyrën se si ajo që vendosim në pjatë mund të ndryshojë gjatë viteve të ardhshme.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.