Detaje të reja kanë dalë në pah nga atentati i ndodhur në Athinë ku të shtënat me armë përmes së cilave synohej të pikasej një shqiptar, kapën vajzën 10-vjeçare shqiptare, e cila mësohet se është e bija e pronarit të lokalit ku ndodhi ngjarja, Denis Luli.
Po ashtu, sipas mediave greke mësohet se atentati në fjalë është urdhëruar nga shqiptar i dënuar në Greqi, një emër mjaft i njohur për policinë greke, Klodian Lekocaj.
Ashtu siç raportuam dhe mëngjesin e sotëm, raportet fillestare tregojnë se automjeti transportonte katër persona, të cilët qëlluan nga brenda makinës përpara se të largoheshin nga vendi i ngjarjes. Në kohën e sulmit, brenda kafenesë ndodheshin 10 klientë, të gjithë të huaj.
Kush është Klodian Lekocaj?
Klod Cara i njohur ndryshe si Klodian Lekocaj, 49 vjeç, një personazh kontrovers, është kthyer në qendër të vëmendjes vitet e fundit pasi njihet ndryshe me nofkën si “Mafia e Burgjeve”. Ndonëse në daljet publike në media Lekocaj e hedh poshtë këtë duke e cilësuar veten si “të varfër”, “të pafajshëm” dhe “të përdorur”.
Mirëpo faktet, dëshmitë dhe përgjimet që disponon policia greke ngrenë dyshimet se Lekocaj ka pasur e vijon të ketë ende rol të rëndësishëm në botën e nëndheshme të grupeve kriminale shqiptare dhe greke.
Shumë herë Lekocaj është përmendur për lidhje me grupe kriminale, duke vënë në dispozicion të tyre ose të vetes persona të dyshuar si vrasës me pagesë.

