Polonia po i ofron Shteteve të Bashkuara stimuj financiarë dhe mbulimin e kostove të infrastrukturës, në kohën kur Varshava dhe Uashingtoni po avancojnë bisedimet për krijimin e një baze të përhershme ushtarake amerikane në territorin polak. Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Paweł Zalewski, tha se vendi i tij është i gatshëm të paguajë 15 mijë dollarë në vit për çdo ushtar amerikan të stacionuar atje dhe do të paguajë edhe për infrastrukturën. Pagesat, theksoi ai, pagesat do të mbulohen nga paratë e taksapaguesve polakë. Negociatat me Pentagonin janë përqendruar te numri dhe lloji i trupave, kapacitetet ushtarake dhe vendndodhjet e mundshme të bazës. SHBA-ja tashmë ka mijëra trupa në Poloni, kryesisht përmes dislokimeve me rotacion. Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump ka deklaruar se bisedimet për një bazë të përhershme po përparojnë, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të lidhet edhe me rishikimin më të gjerë të pranisë ushtarake amerikane në Europë. Për Varshavën, një bazë e përhershme do të përforconte lidhjet e sigurisë me SHBA-në dhe do të dërgonte një sinjal të drejtpërdrejtë parandalues ndaj Rusisë. Ekspertët e sigurisë theksojnë se rëndësia e saj do të varet edhe nga numri i trupave dhe kapaciteteve amerikane që do të mbeten në pjesë të tjera të Evropës. Polonia ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen dhe po zgjeron forcat e saj të armatosura, mes tensioneve në krahun lindor të NATO-s që kanë shtuar rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane në rajon.