I dënuar me burgim të përjetshëm pasi vrau gruan, 49-vjeçari i jep fund jetës në burgun e Reçit
Një i burgosur në burgun e Reçit i ka dhënë fund jetës. Shtetasi Agron Llapushi, 49 vjeç është gjetur i varur me litar në mjediset e dusheve në burgun e Reçit.
49 vjeçari nuk ka folur me askend lidhur me këtë veprim duke zgjedhur që t’i japë fund jetës. Agron Llapushi i lindur në fshatin Holtas dhe banues në Çekin të Gramshit, në vitin 2015 vrau bashkëshorten e tij Alketa Llapushi.
Sapo u kthye nga emigrimi në Greqi, asokohe 39 vjeç Llapushi në një arë në Gramsh mbyti bashkëshorten me duar dhe litar duke e lënë të vdekur në vend.
Çifti në fjalë janë prindër të dy fëmijëve që sot janë 20 dhe 19 vjeç ndërsa asokohe ishin ende të vegjël. Agron Llapushi nuk kishte takime me familjar apo të afërm. Ka patur vetëm një takim në vitin 2023, 8 vite pasi është dënuar dhe një tjetër në vitin 2025.
Gjatë gjithë periudhës tjetër, askush nuk e ka takuar 49 vjeçarin.
Pas ngjarjes së rëndë, Agron Llapushi u dorëzua në polici dhe pranoi krimin e rëndë të kryer. Prokuroria për Krime të Rënda asokohe kërkoi burg përjetë për shtetasin Agron Llapushi por Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e dënoi me 24 vite e 4 muaj burgim për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal. Vendimi mori formë të prerë me datë 10.12.2015 ndërsa ishte arrestuar 8 muaj më parë, me datë 01.04.2015.




