AKTUALITET, 26 September 2026, 18:12

Ishte dënuar për vrasjen e gruas, 49-vjeçari dyshohet se është vetëvrarë në burgun e Reçit

Një i burgosur në burgun e Reçit, dyshohet se i ka dhënë fund jetës. Agron Llapushi, 49 vjeç, është gjetur i varur me litar në ambientet e dusheve të burgut.

Llapushi, banues në Çekin të Gramshit, vuante dënimin për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alketa Llapushi, në vitin 2015. Në atë kohë, ai sapo ishte kthyer nga emigrimi në Greqi dhe pas një konflikti në një tokë në Gramsh mbyti bashkëshorten. Pas ngjarjes, Llapushi u dorëzua në polici dhe pranoi krimin.

Çifti kishte dy fëmijë. Gjatë viteve të vuajtjes së dënimit, 49-vjeçari kishte pasur shumë pak kontakte me familjarët, me vetëm dy takime të regjistruara, në vitet 2023 dhe 2025.

Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm, por Llapushi u dënua me 24 vite e 4 muaj burg për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Vendimi mori formë të prerë më 10 dhjetor 2015.

 

Në dëshminë e tij pas krimit, Llapushi kishte deklaruar se familja përballej me vështirësi ekonomike dhe se ai kishte kaluar një periudhë të vështirë psikologjike. Për gjendjen e tij mendore ishte kryer edhe një ekspertizë psikiatriko-ligjore, e cila arriti në përfundimin se ai nuk vuante nga ndonjë çrregullim psikik apo neuropsikik.