I dënuari për vrasjen e bashkëshortes në 2015 humb jetën në Burgun e Reçit
Një 49-vjeçar i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij në vitin 2015 është gjetur i pajetë në ambientet e dusheve të Burgut të Reçit. Shtetasi Agron Llapushi dyshohet paraprakisht se i ka dhënë fund jetës.
Llapushi, banues në Çekin të Gramshit, ishte dënuar me 24 vite e 4 muaj burgim për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Vendimi ndaj tij mori formë të prerë në dhjetor të vitit 2015.
Ngjarja për të cilën ai u dënua kishte ndodhur në prill të të njëjtit vit. Pas kthimit nga emigrimi në Greqi, Llapushi kishte shkuar së bashku me bashkëshorten, Alketa Llapushi, në një tokë në Gramsh, ku gjatë një konflikti e kishte mbytur me duar dhe më pas i kishte shtrënguar një litar në qafë.
Pas krimit, ai ishte dorëzuar në polici dhe kishte pranuar autorësinë. Çifti kishte dy fëmijë, të cilët në atë kohë ishin ende të mitur.
Në dëshminë e dhënë pas ngjarjes, Llapushi kishte deklaruar se konflikti me bashkëshorten kishte nisur për shkak të vështirësive ekonomike. Ai kishte treguar gjithashtu se kishte pasur probleme të mëparshme emocionale dhe kishte kërkuar ndihmë te një psikolog.
Prokuroria për Krime të Rënda kishte kërkuar burgim të përjetshëm, por gjykata e kishte dënuar me 24 vite e 4 muaj burgim.
Në vitin 2015, Llapushit i ishte kryer edhe një ekspertizë psikiatrike-ligjore për të vlerësuar gjendjen e tij mendore në momentin e krimit. Sipas ekspertëve, ai nuk vuante nga ndonjë çrregullim psikik apo neuropsikik që ta bënte të papërgjegjshëm para ligjit.
Sipas të dhënave, gjatë viteve të vuajtjes së dënimit ai kishte pasur shumë pak kontakte me familjarët, me vetëm dy takime të regjistruara, në vitet 2023 dhe 2025.

