EMRI / 49-vjeçari i jep fund jetës duke u varur me litar në burgun e Reçit, ishte i dënuar për vrasjen e bashkëshortes

Aktualitet

burgu-i-recit.jpg

Një i dënuar në burgun e Reçit i ka dhënë fund jetës ditën e sotme. Shtetasi Agron Llapushi, 49 vjeç, është gjetur i varur me litar në mjediset e dusheve në burgun e Reçit.

Agron Llapushi, i lindur në fshatin Holtas dhe banues në Çekin të Gramshit, ishte dënuar me 24 vite e 4 muaj burg për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alketa Llapushi në vitin 2015.

Sipas informacioneve, ai nuk kishte takime me familjarë apo të afërm të tjerë. Ka zhvilluar vetëm një takim në vitin 2023, 8 vite pasi është dënuar dhe një tjetër në vitin 2025.

Agron Llapushi, asokohe 39 vjeç, e vrau bashkëshorten e tij, nënën e dy fëmijëve të tij, me duar dhe litar në një arë. Pas ngjarjes, Llapushi u dorëzua në polici dhe pranoi krimin e rëndë të kryer.

Prokuroria për Krime të Rënda asokohe kërkoi burg përjetë për të por Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e dënoi me 24 vite e 4 muaj burgim për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal. Vendimi mori formë të prerë me datë 10.12.2015 ndërsa ishte arrestuar 8 muaj më parë, me datë 01.04.2015.

Rrëfimi i Agron Llapushi pas ngjarjes

Asokohe ai pranoi krimin dhe dhe theksoi se ngjarja erdhi si pasojë e debateve për gjendjen e vështirë ekonomike.

“Jam martuar me Alketa Llapushin që nga viti 2001 dhe kemi dy fëmijë të moshës 10 dhe 9 vjeç.  Në lidhje me ngjarjen dua të deklaroj se kam vite që punoj si emigrant në Greqi në qytetin e Verias. Para një viti unë kam pasur çrregullime mendore dhe kam kaluar në depresion, ku në disa raste me ka vajtur mendja të vrisja veten. Po kështu para një viti kam bërë një vizitë tek një psikolog në Elbasan me emrin Enrik.  Unë kam 4 ditë që kam ardhur nga Greqia dhe në fshatin ku unë banoj në Çekin jam në kushte të vështira ekonomike, ku unë jetoj bashkë me nusen time dhe dy fëmijët në një dhomë të vetme.

Sot unë kam shkuar në mëngjes për të punuar në një tokë larg shtëpisë në vendin e quajtur “Mhalla e Lepurit ” dhe atje në punë e sipër jam konfliktuar me Alketën, dhe gjatë konfliktit unë e kam shtrënguar me duar në fyt derisa ajo ka humbur ndjenjat.  

Pas kësaj kam shkuar në shtëpi dhe kam lajmëruar me telefon vëllain tim Alfredin dhe me pas kam shkuar dhe jam dorëzuar në polici. Marrëdhëniet në përgjithësi me Alketën, i kam pasur të mira nuk kemi pasur probleme. As vetë nuk e di si ndodhi… “

Ekspertiza psikiatrike

Për të provuar se Agron Llapushi ishte mirë mendërisht në momentin kur mbyti gruan me duar dhe më pas i shtrëngoi litarin në qafë, prokuroria urdhëroi që ti kryhej një ekspertizë psikiatrike. Konkretisht, akti i ekspertimit psikiatriko-ligjor nr.194 datë 16.06.2015 mbi ekzaminimin e shtetasit Agron Llapushi.

Mjekët psikiatër i janë përgjigjur pyetjeve nëse i pandehuri vuante nga ndonjë turbullim psikik apo neuropsikik në kohën e kryerjes së veprës penale dhe nëse ai vuan, a ka ndikuar kjo në prishjen e ekuilibrit të tij mendor duke e bërë atë të papërgjegjshëm para ligjit? Ato arriten në konkluzionin se ai nuk vuan nga ndonjë sëmundje (turbullim) psikike a neuropsike.

Simptomat për të cilat ai pretendonte se është kuruar nuk plotësojnë kriteret diagnostike për sëmundje madhore mendore.

ME TE LEXUARAT