Është zyrtare! Tyson Fury dhe Anthony Joshua do përballen në një duel (DATA dhe VENDI)
Pas vitesh pritjeje, negociatash dhe tentativash të dështuara, më në fund është zyrtarizuar një nga përballjet më të shumëpritura në historinë e boksit britanik.
Tyson Fury dhe Anthony Joshua do të ngjiten në ring më 11 dhjetor 2026, në Principality Stadium të Cardiffit, në Uells. Përballja do të transmetohet live në Netflix, globalisht.
Dy ish-kampionët e botës në peshat e rënda do të takohen për herë të parë në karrierën e tyre profesionale. Fury vjen me një rekord prej 36 fitoresh, 2 humbjesh dhe 1 barazim, ndërsa Joshua ka regjistruar 30 fitore dhe 4 humbje. Të dy kanë mbajtur tituj të shumtë botërorë gjatë karrierës së tyre.
Përballja është diskutuar prej vitesh dhe ka kaluar nëpër negociata të gjata, me një nga pengesat kryesore që ka qenë përcaktimi i vendit ku do të zhvillohej dueli. Në fund, palët ranë dakord që superndeshja të zhvillohet në Britani, në stadiumin e Cardiffit.
Fury është rikthyer në ring në vitin 2026 dhe ka fituar ndaj Arslanbek Makhmudov, ndërsa Joshua ka vijuar aktivitetin e tij pas fitores me nokaut ndaj Jake Paul në dhjetor 2025.
Konferenca e parë për shtyp mes dy boksierëve është planifikuar për 30 shtator në Londër, ndërsa detajet e plota të kartës së mbrëmjes pritet të bëhen publike më vonë.




