Nga Zvicra në SHBA, dalin detaje të reja për çështjen e Granit Xhakës
Situata e Granit Xhakës po merr përmasa gjithnjë e më serioze. Kapiteni i Zvicrës dhe mesfushori i Sunderlandit është përfshirë në një hetim në Zvicër lidhur me përdorimin e një certifikate të falsifikuar vaksinimi kundër COVID-19.
Xhaka e ka pranuar publikisht se në vitin 2022 kishte siguruar një certifikatë vaksinimi, duke e cilësuar vendimin si një gabim dhe duke marrë përgjegjësinë për veprimin. Për këtë arsye, ai është lënë jashtë grumbullimit të fundit të kombëtares zvicerane, me Federatën Zvicerane të Futbollit që ka bërë të ditur se çështja do të rivlerësohet pas përfundimit të kësaj periudhe ndërkombëtare.
Por tani çështja ka marrë një tjetër drejtim.
Sipas raportimeve të Tages-Anzeiger, të publikuara edhe nga mediat zvicerane, ekziston dyshimi se Xhaka nuk e kishte marrë certifikatën false vetëm për ta pasur në dokumentacion, por dyshohet se e kishte përdorur atë gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara me Arsenalin në verën e vitit 2022. Në atë periudhë, udhëtarët e huaj duhej të paraqisnin dëshmi vaksinimi për të hyrë në SHBA.
Nëse kjo rrethanë konfirmohet nga hetimi, çështja mund të bëhet edhe më e rëndë në aspektin ligjor. Prokuroria në Lucernë po heton nëse ka pasur sjellje penalisht të dënueshme lidhur me marrjen e certifikatës së falsifikuar.
Nga ana sportive, nuk ka aktualisht një vendim zyrtar të FIFA-s për përjashtimin apo pezullimin e Xhakës. Megjithatë, precedenti tregon se FIFA mund të vendosë pezullime në rastet e falsifikimit të dokumenteve kur shkeljet lidhen me futbollin dhe kompetencat e saj. Në vitin 2025, për shembull, FIFA pezulloi shtatë lojtarë për 12 muaj për shkelje të rregullave mbi falsifikimin e dokumenteve.
Për Xhakën, çdo masë eventuale sportive do të varet nga rezultatet e hetimit dhe nga vendimet e institucioneve përkatëse. Për momentin, ajo që dihet zyrtarisht është se Xhaka ka pranuar marrjen e certifikatës false, është duke bashkëpunuar me autoritetet dhe nuk është grumbulluar me Zvicrën.




