Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka përsëritur se objektivi kryesor i përfaqësueses është pjesëmarrja në Kampionatin Evropian “Euro 2028”.
Të lidhura
None found
Kosova do të luajë nesër ndaj Austrisë në një ndeshje me rëndësi për promovimin në Ligën A të Ligës së Kombeve, ku austriakët konsiderohen favoritët kryesorë.
Gjatë konferencës për media, Foda u kërkoi futbollistëve të paraqiten me besim, por nënvizoi se kalimi në Ligën A nuk është synimi parësor i ekipit, pasi fokusi mbetet te Evropiani i vitit 2028.
“Jam i kënaqur nëse loja shkon mirë. Në fund të ditës, do të shohim se çfarë po ndodhë. Me rëndësi është të luajmë me vetëbesim, e njohim Austrinë. Janë favorit, por kjo nuk do të thotë ta ulim vetë-vetën. Qëllimi im është Kampionati Evropian 2028, kjo ka qenë objektivi nga dita ime e parë”, deklaroi ai.
Foda u pyet gjithashtu për mundësinë që Lorent Tolaj i Bristol Cityt dhe Arijanet Fazlija i Prishtinës të afrohen me ekipin e parë të Kosovës, duke marrë parasysh paraqitjet e tyre.
“Lorent Tolaj dhe Arijanet Fazlija te Kosova? I njoh të dy lojtarët dhe e di kualitetin e tyre. Mendoj se është me rëndësi të koncentrohemi te loja e nesërme. Kemi 27 lojtarë dhe ndoshta një ditë do të luajnë për Kosovën edhe ata”, u shpreh trajneri.
Ndeshja Austri–Kosovë do të nisë në orën 18:00.
