Varshava po shqyrton mundësinë e financimit të një pjese të kostove për Shtetet e Bashkuara, ndërsa negociatat për ngritjen e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Poloni po avancojnë. Oferta përfshin edhe mbulimin e shpenzimeve të infrastrukturës.
Të lidhura
None found
Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Paweł Zalewski, deklaroi se Polonia është e gatshme të paguajë 15 mijë dollarë në vit për secilin ushtar amerikan që do të stacionohet në territorin e saj. Sipas tij, edhe financimi i infrastrukturës do të përballohet nga taksapaguesit polakë.
Diskutimet me Pentagonin përfshijnë përcaktimin e numrit dhe kategorive të trupave, kapaciteteve ushtarake, si dhe zonave ku mund të ndërtohet baza. Aktualisht, në Poloni ndodhen mijëra trupa amerikane, kryesisht në kuadër të dislokimeve me rotacion.
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se bisedimet për një prani të përhershme ushtarake në Poloni po ecin përpara. Megjithatë, vendimi përfundimtar pritet të merret në kontekstin e rishikimit të përgjithshëm të pranisë ushtarake të SHBA-së në Europë.
Autoritetet polake e shohin bazën e përhershme si një mënyrë për të thelluar bashkëpunimin e sigurisë me Uashingtonin dhe për t’i përcjellë Rusisë një mesazh të qartë parandalues. Ekspertët vlerësojnë se ndikimi i saj do të përcaktohet edhe nga numri i trupave dhe kapaciteteve amerikane që do të qëndrojnë në pjesë të tjera të Evropës.
Në kushtet e tensioneve në krahun lindor të NATO-s, Polonia ka shtuar ndjeshëm fondet për mbrojtjen dhe po zgjeron forcat e saj të armatosura, duke rritur kështu rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane në rajon.
