E shtunë, 26 Shtator 2026 Lajmet e Fundit dhe Moti deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sport

Tre pikët e para pas 5 humbjesh, Shqipëria fiton 2-0 kundër Bjellorusisë

Shqipëria e ka nisur me këmbën e mbarë aventurën në UEFA Nations League.

Kuqezinjtë kanë triumfuar 2-0 ndaj Bjellorusisë, në sfidën e zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”, duke marrë tri pikët e para në Grupin C1.

Skuadra e drejtuar nga Rolando Maran zhvilloi një ndeshje të disiplinuar dhe arriti të kontrollojë momentet kryesore të takimit. Pas një periudhe të vështirë, me pesë humbje radhazi përpara kësaj sfide, Kombëtarja shqiptare reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme.

Kuqezinjtë e kërkuan golin dhe arritën të zhbllokojnë takimin, ndërsa në pjesën e dytë Shqipëria administroi avantazhin dhe goditi sërish për të vulosur fitoren 2-0.

Ky sukses merr rëndësi të veçantë edhe për trajnerin Rolando Maran, i cili e nis aventurën e tij zyrtare në stolin e Shqipërisë me një fitore.

Me këtë rezultat, Shqipëria merr tri pikë të rëndësishme në startin e Nations League dhe e nis me optimizëm garën në Grupin C1. Sfida e radhës për kuqezinjtë është ndaj San Marinos më 29 shtator.

LIVE – Shqipëri – Bjellorusi 2-0

Mbyllet gjithçka, Shqipëria fiton 2-0 kundër Bjellorusisë në ndeshjen e vlefshme për Nations League.

Minuta 90+2 – Gjuan Uzuni por topi devijohet në këndore nga mbrojtja bjelloruse.

Minuta 85′ – Sërish zëvendësime te Shqipëria. Largohen Asllani dhe Hoxha, futen Shehu dhe Mitaj.

Minuta 80′ – Bjellorusët zbresin rrezikshëm por Berisha pret pa problem.

Minuta 76′ – Asllani gjuan nga distanca rrezikshëm por topi shkon shumë pranë shtyllës pingule nga e djathta e portierit bjellorus.

Minuta 75′ – Mehmeti tregon menjëherë veten, fiton një goditje këndore pas një lëvizjeje të bukur.

Minuta 72′ – Moment zëvendësimesh për kuqezinjtë. Futen Daku dhe Mehmeti, dalin Manaj dhe Muçi.

Minuta 63′ – Shqipëria për pak sa nuk ka shënuar golin e tretë. Krosimi i Asllanit, pas një goditjeje dënimi, për pak u kthye në gol nga Manaj por topi goditi shtyllën e djathtë të portierit.

Minuta 61′ – Uzuni futet në lojë, jashtë del Seferi.

Minuta 55′ – Taulant Seferi ka shpërdoruar një rast të pastër për të trefishuar rezultatin.

Minuta 54′ – Shfaqen rrezikshëm bjellorusët pas një aksioni nga krahët.

Minuta 45′ – Shqipëria e mbyll 2-0 në avantazh pjesën e parë kundër Bjellorusisë.

Minuta 40′ – Ernest Muçi shënon golin e dytë për Shqipërinë

Minuta 37′ – Rey Manaj tenton nga distanca por topi shkon pranë shtyllës pingule, nga e majta e portierit.

Minuta 32′ – Asllani kthen 11 metërshin në gol. Shqipëri-Bjellorusi 1-0

Minuta 31′ – 11 metërsh për Shqipërinë, fituar nga kapiteni Gjimshiti.

Minuta 15′ – Taulant Seferi për pak sa nuk ka shënuar me kokë pas një krosimi.

Minuta 5′ – Rey Manaj për pak sa nuk ka shënuar pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi.

Pas disa ndeshjesh bojkot, sonte në stadium është rikthyer tifogrupi TKZ (Tifozët Kuqezinj).

Shqipëria zbret sonte në fushë për një sfidë të rëndësishme ndaj Bjellorusisë, në kuadër të Nations League.

Kuqezinjtë, nën drejtimin e trajnerit të ri Rolando Maran, kërkojnë ta nisin aventurën e re me një rezultat pozitiv, ndërsa në Tiranë pritet një atmosferë e veçantë.

Formacioni zyrtar tashmë është bërë publik dhe Maran ka zbuluar 11-shen që do të kërkojë suksesin përballë bjellorusëve.

Portier:

Etrit Berisha

Mbrojtja:

Elseid Hysaj – Berat Gjimshiti – Ardian Ismajli – Stavro Pilo

Mesfusha:

Ylber Ramadani – Kristjan Asllani

Sulmi:

Taulant Seferi – Ernest Muçi – Arbër Hoxha

Rey Manaj

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.