
Është publikuar formacioni zyrtar i ndeshjes Shqipëri-Bjellorusi, e vlefshme për raundin e parë të Ligës së Kombeve.
Rolando Maran do të hedhë në fushë një Shqipëri me disa ndryshime të rëndësishme në sfidën e sotme të vlefshme për Ligën e Kombeve.
Në mungesë të Strakoshës në portë rikthehet veterani Etrit Berisha, i cili është përfshirë sërish në Kombëtare pas një periudhe mungese afro 2-vjeçare. Rikthimi i tij ishte një nga risitë e listës së parë të Maranit.
Në qendër të mbrojtjes do të jetë dyshja e konsoliduar Berat Gjimshiti–Ardian Ismajli, ndërsa në krahun e djathtë Elseid Hysaj.
Surpriza vjen në të majtë, ku Maran i ka besuar Stavro Pilos, duke lënë në stol Mario Mitajn.
Në mesfushë do të rreshtohen Ylber Ramadani dhe Kristjan Asllani.
Edhe në sulm ka ndryshime interesante. Ernest Muçi do të luajë pas sulmuesit kryesor, duke marrë rolin e fantazistit.
Në krahun e majtë luan Arbër Hoxha, ndërsa në të djathtë Taulant Seferi, i cili ka fituar balotazhin me Myrto Uzunin. Në majën e sulmit do të jetë Rey Manaj, një tjetër lojtar që është rikthyer në skuadër pas dëmtimit.
Trajneri Maran kërkon sot fitoren e parë me "kuqezinjtë" pas një nisje jo të mirë me dy humbje në miqësore.
(A2 Televizion)