Protesta e 119-të/ Bllokimi rrugëve nga tubuesit gjatë marshimit, policia krijon kordon pranë Liqenit Artificial

26/09/2026 19:00

Protesta e radhës kundër qeverisë po zhvillohet këtë të shtunë në Tiranë, duke shënuar ditën e 119-të të tubimeve të njëpasnjëshme. Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.

Pas mbërritjes para godinës së Kryeministrisë, protestuesit zhvilluan fjalimet dhe përcollën thirrjet e tyre kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Një nga kërkesat kryesore të protestuesve vijon të jetë dorëheqja e Ramës.

Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit nisën sërish marshimin në rrugët e Tiranës, duke e zhvendosur tubimin drejt akseve të tjera të kryeqytetit.

Gjatë marshimit, në një prej rrugëve pranë Liqenit Artificial, forcat e policisë kanë krijuar një kordon për të ndaluar vijimin e marshimit nga protestuesit. Forcat e rendit u kanë kërkuar protestuesve që të mos bllokojnë qarkullimin e mjeteve gjatë lëvizjes së tyre.

Ndërkohë, qytetarët vijojnë të lëvizin në rrugët e kryeqytetit, ndërsa situata po shoqërohet me prezencë të forcave të policisë në zonat ku po kalojnë protestuesit. Qëllimi i policisë është edhe që t’i mbajë protestuesit larg stadiumit, ku po luan aktualisht Kombëtarja.

Top Channel