Një i ri ka reaguar me tone të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë protestës kundër qeverisë, duke artikuluar një sërë akuzash dhe kritikash ndaj kreut të qeverisë.
Në fjalën e tij, protestuesi e cilësoi Ramën si “diktator” dhe e akuzoi për përndjekje të shqiptarëve, ndërsa ngriti edhe çështje që lidhen me Kosovën dhe Çamërinë.
Protestuesi kritikoi gjithashtu qëndrimet e kryeministrit ndaj çështjeve kombëtare, duke pretenduar se Rama nuk ka ngritur zërin për shqiptarët jashtë kufijve. Ai përmendi edhe çështjen e një plani të pretenduar për ndarjen e Kosovës, pa dhënë detaje të mëtejshme për këtë akuzë.
Më tej, protestuesi iu referua edhe ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, duke e lidhur atë me kryeministrin Rama.
“Kemi në krye një kriminel, një diktator, një piktor. Diktatori që kemi ne në krye përndjek shqiptarët. Një shqiptar që ka përndjekur edhe shqiptar, dhe nuk ka ngritur njëherë zërin për shqiptarët jashtë kufijve, as për Çamërinë dhe as për Kosovën.
Mos harrojmë se ka pasur një plan për ndarjen e Kosovës. Kemi një diktator që po ndot gjuhën shqipe. Besa e shqiptarit është traditë e shqiptarit.
Rama ia ka dhënë besën mafiozëve. Uroj që gjithë komuniteti ndërkombëtar ta ketë parë se me cilin diktator kanë të bëjnë, sepse populli i tij nuk do më. Spiuni i tij MC Gonigal dergjet në burgjet e New York. Rama të largohet se po i zë diellin Shqipërisë”, tha ai.












