Incidenti me vezët, Rama: Erdhi nga Anglia për të më gjuajtur, shpresoj t’ia ketë kaluar mirë me policinë e Nju Jorkut
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, zhvilloi këtë të shtunë një takim me komunitetin shqiptar që jeton dhe punon në Staten Island, në Nju Jork.
Gjatë fjalës së tij, Rama me humor solli në kujtesë dhe incidentin e dy ditëve më parë, kur u godit me vezë nga një protestues.
Rama tha se aq të forta janë lidhjet mes shqiptarëve sot në botë, sa ai që gjuajti me vezë kishte udhëtuar nga Anglia në SHBA për të kryer “aktin”.
“Vezët që m’u hodhën para pak ditësh tregojnë se jeta dhe zhvillimet në Shqipëri i kanë integruar bashkë shqiptarët kudo ku ndodhen. Një nga hedhësit e vezëve erdhi nga Anglia, mund të kishte ardhur në Tiranë, por erdhi në Amerikë. Shpresoj të ketë kaluar mirë edhe me policinë e Nju Jorkut. Po ashtu, në trupën e mbrojtjes që u angazhua në çdo event, kryesori ishte një shqiptar që shërben në policinë e Nju Jorkut”, tha Rama.




