Elvis Shkambi drejt burgimit të përjetshëm për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, prokuroria mbyll herimet dhe i komunikon akuzën

Krim & Korrupsion

Publikuar: 26/09/2026

Elvis Shkambi drejt burgimit të përjetshëm për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, prokuroria mbyll herimet dhe i komunikon akuzën

Prokuroria e Tiranës i ka komunikuar sot Elvis Shkambit akuzën për “vrasje të funksionarëve publikë për shkak të detyrës”, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja. Bëhet fjalë për nenin 79/a të Kodit Penal, i cili flet për vrasjen e qëllimshme të funksionarëve publikë. Ai përfshin deputetë, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, ushtarakë dhe zyrtarë të tjerë publikë. Vrasja duhet të jetë kryer gjatë detyrës ose për shkak të saj, dhe cilësitë e viktimës duhet të jenë të dukshme ose të njohura. Dënimi për këtë vepër është burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose burgim të përjetshëm.

Prokuroria pritet të kërkojë dënim me burg përjetë për autorin e ngjarjes që tronditi opinonin oublik. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, bën me dije se mbyllja e hetimeve për ngjarjen i është komunikuar sot Shkambit, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Ndërkohë, sipas të njëjtave burime, Gjon Shkambit, xhaxhait të Elvis Shkambit, akuza do t’i komunikohet ditën e hënë. Elvis Shkambi përballet gjithashtu me akuzën për “vrasje në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë, lidhur me plagosjen e dy personave, babë e bir, që ishin palë kundërshtare në procesin gjyqësor.

Në fazat e mëparshme të procedimit, ndaj tij është hetuar edhe akuza për armëmbajtje pa leje. Sa i përket Gjon Shkambit, ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni për planet e nipit të tij dhe se nuk ka pasur dijeni se Elvisi do të ndërmerrte një veprim të tillë. Ky qëndrim është bërë i ditur edhe më herët nga mbrojtja e tij, ndërsa Prokuroria ka ngritur dyshime për rolin e tij në ngjarje.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 tetor 2025, rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Gjatë një seance gjyqësore, Elvis Shkambi qëlloi me armë zjarri drejt gjyqtarit Astrit Kalaja, si dhe drejt dy personave të tjerë, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët ishin palë në proces. Kalaja humbi jetën, ndërsa dy personat e tjerë mbetën të plagosur.

Sipas hetimeve të bëra publike nga Prokuroria, të shtënat ndodhën pasi gjyqtari Kalaja kishte lexuar vendimin në një çështje pronësie ku palë ishin familja Shkambi dhe familja Kurtaj.

Prokuroria ka deklaruar gjithashtu se po hetonte rolin që mund të kishte pasur Gjon Shkambi në nxitjen e veprimeve ndaj palës kundërshtare.