“Paketa e Maleve është për trashëgimtarët”/ Kryeministri Rama nga Nju Jorku: Projekti i Zvërnecit sjell 4 miliardë euro, po studiojmë ndikimin dhe riskun në mjedis

26/09/2026 20:46

Në një takim me shqiptarët në Staten Island të New York, kryeministri Rama ka folur për rëndësinë e Paketës së Maleve dhe për Zvërnecin, një projekt që vijon të jetë shumë i diskutuar dhe për të cilin Rama konfirmon se puna vazhdon dhe po studiohet ndikimi në mjedis.

“E vërteta është përtej shakasë që, në këtë rast, është shumë më tepër se gjysma e të vërtetës, që Shqipëria e sotme nuk është më Shqipëria në nevojë për ndihma. Patjetër që Shqipërisë, si çdo vend, ka familje që kanë nevojë të ndihmohen në vijimësi, por vetë Shqipëria, e cila i ngjante deri përpara 10 vitesh një njeriu me dorën e shtrirë për të kërkuar ndihmë, sot është një njeri krahapur për të mirëpritur investime, për të mirëpritur partneritete, për të mirëpritur eksperiencën e kujtdo, duke filluar nga eksperienca e shqiptarëve jashtë vendit dhe sot Shqipëria ka hapur një derë të re, derën e maleve të saj. Për të gjithë ata që në male kanë origjinën rrënjët, historinë e familjeve të tyre dhe që prej shumë vitesh kanë pritur momentin se kur do rindezin oxhakun e shtëpisë së stërgjyshërve të tyre.

Besoj se keni dëgjuar të mira dhe plot të këqija për Paketën e Maleve, për të cilën me siguri ju kanë thënë, siç thonë për çdo gjë tjetër, që është bërë për t’u vjedhur, është bërë për të grabitur malet, është bërë për t’i marrë malet, për t’i çuar diku tjetër, por në të vërtetë, Paketa e Maleve është bërë për të gjithë ju që keni një lidhje me ato male dhe që keni një tokë të trashëguar nga të parët në ato male dhe është ekskluzivisht për të adresuar një problematikë të ligjit, i cili nuk e ka zgjidhur dot çështjen e ndarjes së pronave në male, sepse në male pjesa dërrmuese e pronës është ndarë me kufijtë e vjetër dhe është ndarë në mirëkuptim mes fqinjëve, gjë që ligji nuk e parashikon dhe për këtë arsye, malësorët nuk e kanë pranuar atë ligj dhe për këtë arsye, Paketa e Maleve i jep mundësinë gjithkujt që të paraqitet në bashkinë përkatëse me kërkesën për të zhvilluar pronën e vet dhe Këshilli bashkiak e vendos kërkesën në një afishim publik për një muaj, për të parë nëse ka fqinj apo pretendues të asaj prone që thonë që ajo pronë s’është e jotja dhe nëse për një muaj nuk ka pretendime të tilla, atëherë fillon procesi i rindërtimit të shtëpisë së vjetër apo ndërtimi i një agroturizmi apo i ndërtimit të një ferme, gjithmonë në funksion të ekonomisë së maleve.

Unë gjithmonë e kam besuar, e kam besuar edhe më shumë, kur i kam parë nga afër malet e Shqipërisë, që pavarësisht se turizmi në Shqipëri identifikohet me detin, momenti i artë i turizmit shqiptar dhe momenti kur Shqipëria do të ngrihet në atë lartësi që ka potencialin e vet, do të jetë momenti kur malet të bëhen pjesë e industrisë së vet të turizmit, siç janë në Austri, siç janë në Zvicër dhe siç janë në disa vende që janë shumë të ngjashme me karakteristikat e maleve të Shqipërisë dhe prandaj qëndrova tek Paketa e Maleve pak më gjatë për t’ju siguruar se, së pari, ajo është bërë për të gjithë ata që kanë pronën atje, nuk është bërë për askënd tjetër dhe asnjë investitor tjetër nuk mund dot të ketë akses në ato prona, nëse nuk është partneri juaj dhe nëse nuk është dëshira juaj për ta pasur me vete.

Ndërkohë që, cilido prej atyre që kanë pronën, dëshiron të ketë partner edhe nga miqtë e të afërmit në shtëpi që ka këtu, patjetër që është i mirëseardhur dhe kthimi edhe i maleve në një burim mirëqenieje është një domosdoshmëri për ta çuar më tutje ekonominë e Shqipërisë.

Kini parasysh që vendi që emigrantët e parë lanë kur erdhën në Amerikë 30 e kusur vite më parë, ishte një vend me më pak se 200 dollarë për frymë dhe sot, edhe falë jush, është rritur 75 herë në 35 vjet dhe ambicia ime është që në 2030 ta kemi rritur 100 herë. Pra, kemi edhe 25 herë përpara për ta rritur së bashku.

Dhe nëse sot ne kemi arritur në 12 milionë vizitorë të huaj që vijnë në Shqipëri, objektivi për të rritur edhe pastaj ato që janë të ardhurat e shqiptarëve, është që numri i vizitorëve të shkojë në 20 milionë e pastaj më pas do t’i takojë më të rinjve që do të marrin stafetën, që ta çojnë atë edhe më lart, por më shumë sesa numri i vizitorëve, ajo që është shumë e rëndësishme për ne në këtë fazë, siç e thotë edhe Pjerini, është që të kemi më shumë investitorë cilësorë, në mënyrë që të kemi më shumë turistë që sjellin vlerën më të lartë gjatë qëndrimit të tyre. Sot karakteristika e turizmit shqiptar është turisti me të ardhura mesatare dhe të ulëta, ndërkohë që ne na mungon turisti me të ardhura të larta, që përfaqëson atë që quhet turizmi i vlerës së lartë.

Këtë synim ka edhe projekti i shumë diskutuar, projekti i famshëm, por edhe famëkeq, për fat të keq, si rezultat i shumë gënjeshtrave, manipulimeve, denigrimeve, politizimeve, projekti i Sazanit dhe projekti i Zvërnecit bashkë me të, një projekt që potencialisht sjell vetëm në Zvërnec më shumë se 4 miliardë euro. 4 miliardë euro në një ekonomi, që në totalin e vet është 27 miliardë euro. Juve i bëni vetë llogaritë më mirë. Është një projekt i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Sigurisht që ne jemi shumë të vetëdijshëm që sa ç’është i jashtëzakonshëm në përmasa, sa ç’është i jashtëzakonshëm në ambicie, sa ç’është i jashtëzakonshëm në aspektin financiar, është jashtëzakonisht delikat edhe në aspektin e ekuilibrit me mjedisin dhe për këtë arsye, ne po punojmë shumë intensivisht për të pasur një studim të impaktit mjedisor të detajuar edhe profesional, të standardeve më të larta ndërkombëtare dhe për të kuptuar ekzaktësisht cilat janë rreziqet reale dhe jo rreziqet që prodhohen orë e çast në rrjetet sociale nga lloj-lloj sharlatanësh dhe manipuluesish.

Në fund fare, për të mos ju marrë më shumë kohë dhe duke ju falënderuar me shumë respekt edhe me shumë mirënjohje për kohën që ju më dhatë dhe që na dhatë ne, nuk e kam harruar që sot është ditë pushimi dhe ndryshe nga Shqipëria, ku ditët e punës kanë shumë kafe brenda, ditët e punës këtu kanë pak kafe dhe plus kanë atë kafenë e tmerrshme amerikane që është një vuajtje më vete. Kështu që unë e kuptoj shumë mirë çfarë do të thotë që ju të kaloni dy-tre orë nga dita reale e pushimit për të dëgjuar muhabet Shqipërie, prandaj ju jam shumë, shumë mirënjohës, ju jam shumë, shumë falënderues.

Shpresoj që kur të vini në Shqipëri, kryepolici të na japë mundësi të takohemi, po edhe po s’na e dha, jam i bindur që ai do t’ju trajtojë më mirë se unë. Dhe dua të falënderoj në mënyrë të posaçme Xhemon, i cili ishte veshur sot si politikan amerikan edhe në krahasim me ty këtu unë jam si roja i hotelit, po unë uroj shumë që ai kostum Xhemo dhe ai kujdes që ke ti për pamjen të të japë sukses në politikën amerikane, se këtu pamjen e vlerësojnë shumë dhe nga ana tjetër, të falënderoj shumë për përkushtimin, për organizimin.

E di që këtu, bashkë me ty, janë edhe disa djem nga Ulqini, sepse e mora përpara informacionin. Më mori në telefon Dritani nga Mali i Zi, ish-kryeministri dhe miku im i shtrenjtë, i vetmi qytetar i botës në Ballkan, i cili më tha: Shiko, tha, se atje ku po shkon, tha, tek ajo “dallga” shqiptare, kujdes, tha, se ke dhe ca “shkumë” nga Ulqini.

Kështu që, shumë faleminderit, Xhem. Shumë faleminderit shokëve dhe miqve këtu.

Shumë faleminderit shoqatës që u bë shkak për këtë organizim kaq miqësor, kaq vëllazëror dhe ju e dini që unë e kam këtë problem, që unë mendoj që, në fund të ditës, burrat e Shqipërisë, edhe kaq sa bëjnë, e bëjnë vetëm se kanë mbas vetes gratë e Shqipërisë. Kështu që, nëse burrat e Shqipërisë kanë bërë budallëqe të mëdha, imagjinoni çfarë kishin bërë sikur mos të ishin dhe gratë. Prandaj dua t’i falënderoj të gjitha zonjat që janë këtu të pranishme, edhe t’u uroj çdo të mirë familjeve të tyre, të uroj çdo të mirë për fëmijët e tyre, të uroj më të mirën për burrat e tyre. Mbajini me kujdes. E di që janë të vështirë, por janë edhe të mirë kur duhet, edhe mos ua vini re kur bëjnë si të fortë, sepse në zemër dridhen nga frika juaj. Shumë faleminderit”, tha Rama mes të tjerash.

Top Channel