Sulmi me kallashnikov ndaj lokalit “Amora” në Athinë ka vënë në lëvizje autoritetet greke, të cilat po hetojnë nëse shënjestër e atentatit ishte pronari i biznesit, 30-vjeçari Denis Luli.

Të shtënat u hapën gjatë natës nga një automjet ku udhëtonin katër persona. Në lokalin ku ndodheshin disa klientë, mbeti e plagosur një vajzë 10-vjeçare shqiptare, e cila u qëllua në pulpë. Vajza ishte së bashku me nënën e saj, e cila e transportoi privatisht në spital.
Ngjarja ka marrë një tjetër zhvillim pas gjetjes së automjetit të përdorur nga autorët. Makina u gjet e djegur në Aspropirgo, ndërsa brenda saj policia sekuestroi një kallashnikov.
Denis Luli, pronari i lokalit që dyshohet se ishte shënjestër
Në qendër të hetimit është 30-vjeçari Denis Luli, pronari i lokalit “Amora”. Sipas dyshimeve të policisë greke, sulmi mund të ketë qenë i drejtuar ndaj tij dhe jo ndaj klientëve të lokalit.
Luli rezulton të ketë precedentë penalë në Greqi. Ai u arrestua në vitin 2015 gjatë një operacioni në një parcelë të mbjellë me marijuanë.
Sipas raportimeve për atë ngjarje, gjatë ndërhyrjes së policisë ai hapi zjarr ndaj forcave greke. Për këtë episod u dënua dhe qëndroi në burgun e Malandrinos, nga ku u lirua me kusht në vitin 2021.
Hetuesit po verifikojnë nëse e kaluara kriminale e 30-vjeçarit mund të ketë lidhje me sulmin e fundit.
Dyshimet për porositësin, në hetim emri i Klodian Lekocajt
Një nga pistat që po shqyrtohet nga policia greke është ajo që sulmi të jetë porositur nga 49-vjeçari nga Berati, Klodian Gjon Lekocaj, i njohur edhe si “Klod Cara”.

Lekocaj ndodhet prej vitesh në burg në Greqi dhe emri i tij është përmendur në një numër dosjesh kriminale. Në mediat greke ai është cilësuar si një prej figurave të lidhura me të ashtuquajturën “Mafia e Burgjeve”.
Megjithatë, këto janë etiketime mediatike dhe akuza të ngritura në kuadër të hetimeve të ndryshme. Për rolin konkret të Lekocajt në sulmin ndaj lokalit “Amora” do të duhet të provohen nga autoritetet greke.
Nga vrasjet te gjobëvëniet dhe trafiku i drogës
Emri i Lekocajt është shfaqur ndër vite në hetime që lidhen me vrasje, tentativa vrasjeje, trafik droge dhe gjobëvënie.
Në një prej dosjeve të hetuara nga policia greke, shqiptari Viktor Çala kishte deklaruar se një vrasje në vitin 2022 ishte kryer me urdhër të Lekocajt, pas prishjes së pazareve të drogës. Çala dhe një tjetër shqiptar, Andi Beqiri, ishin arrestuar në Athinë në shtator të vitit 2022, ndërsa në automjetin e tyre u gjetën dy kallashnikovë dhe një thikë. Në banesë u gjet edhe një pistoletë.
Hetimet e policisë greke e lidhën Çalën me një vrasje dhe një tentativë vrasjeje të ndodhura në korrik të atij viti.
Lekocaj është përmendur gjithashtu në dosje që lidhen me vrasjen e avokatit grek Mixalis Zafiropoulos, vrasjen e të burgosurit Arbër Bako dhe të burgosurit Bardhyl Tusha, si dhe në një tentativë vrasjeje ndaj një shtetasi pakistanez.
Në një tjetër rast, ndaj tij janë ngritur dyshime për gjobëvënie ndaj ish-ministrit grek Dimitris Tsovolas, ndërsa emri i tij është përmendur edhe në çështje që lidhen me arratisje të të dënuarve.
Një histori e gjatë me drejtësinë greke
Lekocaj nuk është përmendur vetëm si person që dyshohet se ka dhënë urdhra. Ai ka edhe një histori të gjatë arrestimesh dhe dënimesh në Greqi.
Ai u arrestua fillimisht në vitin 1997 për vjedhje. Në vitin 2003 u arratis nga burgu i Volosit. Dy vite më vonë, në vitin 2005, në Agios Panteleimonas, ai plagosi me armë zjarri një shqiptar. Në vitin 2006 u përfshi sërish në një ngjarje kriminale, ku, së bashku me dy shqiptarë të tjerë, plagosi me thikë një bashkëkombës.
Në vitin 2013 u arrestua për trafik droge dhe vjedhje dhe u dërgua në burgun e Korfuzit. Pas marrjes së një lejeje, ai u arratis në vitin 2014.
Pak ditë më vonë, sipas hetimeve greke, Lekocaj dhe Arbër Bako u përfshinë në një tentativë grabitjeje ku mbeti i plagosur një shtetas egjiptian.
Më 31 tetor 2014, ai, së bashku me Arbër Bako, Olti Dulcen dhe një shtetas polak, u lidh me një vrasje në zonën e Metaksurgios.
Arrestimi pas ngjarjes së Mikrolimanos
Lekocaj u arrestua në nëntor të vitit 2014 në Sepolia, në shoqërinë e Dhimo Mecit, një tjetër shqiptar i kërkuar nga autoritetet greke për disa ngjarje të rënda.
Arrestimi erdhi pas ngjarjes së Mikrolimanos, ku Arbër Bako kishte hapur zjarr me kallashnikov në një lokal, duke plagosur disa persona.
Emri i Lekocajt është përmendur ndërkohë edhe në lidhje me shqiptarët Elvis Bogdani dhe Ari Papa, të cilët janë ekzekutuar më herët në Greqi.
Hetimet e viteve të fundit
Në vitin 2019, Lekocaj u akuzua se kishte rekrutuar një vrasës me pagesë nga Shqipëria për të vrarë një shtetas pakistanez.
Në mars 2023, ndaj tij u ngrit një tjetër akuzë për gjobëvënie ndaj një biznesmeni grek, ku shuma e kërkuar dyshohej se ishte 100 mijë euro.
Në prill 2025, emri i Lekocajt u lidh me hetimet për një atentat ndaj shqiptarëve Kristjanis Stefa dhe Florian Bajraktari, ngjarje e ndodhur më 23 shtator 2024.
Një tjetër episod ndodhi në maj 2025, kur Lekocaj dyshohet se mori peng dy gardianë në burgun e Koridhalosit duke përdorur një thikë. Sipas hetimeve, ai u mori çelësat, radiot dhe telefonat e tyre dhe tentoi të lëvizte drejt një sektori tjetër të burgut, së bashku me shtatë të burgosur egjiptianë.
Nga droga në burg te plagosja e një të dënuari
Kontrollet e mëvonshme në qelinë e Lekocajt dhe të disa të dënuarve të tjerë zbuluan celularë, thika dhe kokainë.
Në shkurt 2026, policia greke e arrestoi sërish Lekocajn, bashkë me tre persona të tjerë, në kuadër të hetimeve për një rrjet që dyshohej se fuste drogë në burg.
Po atë muaj, Lekocaj mori përsipër përgjegjësinë për plagosjen brenda burgut të 46-vjeçarit Dhimo Meci, një tjetër shqiptar i dënuar për vrasje me pagesë. Sipas deklarimeve të tij, ai kishte urdhëruar një autor grek për të kryer sulmin.
Në prill 2026, policia greke arrestoi në Agios Panteleimonas dy të rinj shqiptarë, të dyshuar për shpërndarje droge. Sipas hetimeve të atëhershme, pas aktivitetit të tyre dyshohej se qëndronte Lekocaj.
Çfarë po hetohet për sulmin ndaj “Amora”-s
Në këtë pikë, policia greke po verifikon nëse sulmi ndaj lokalit “Amora” lidhet me konfliktet dhe aktivitetin kriminal të personave që dyshohet se ishin objekt i atentatit.
Fakti që autorët përdorën kallashnikov, që automjeti u dogj menjëherë pas ngjarjes dhe që policia po shqyrton një pistë të lidhur me persona me precedentë kriminalë, janë elementë të dosjes së hetimit.
Megjithatë, mbetet për t’u përcaktuar se kush e dha urdhrin, kush ishin katër personat që ndodheshin në automjet dhe nëse Denis Luli ishte realisht objektivi i sulmit.
Deri në përfundimin e hetimeve dhe vendimeve të gjykatës, pretendimet për autorësinë dhe porositësit mbeten pjesë e dyshimeve të autoriteteve greke.
/boldnews