Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, mori sot një angazhim para Kongresit të 15-të të OKB-së për Parandalimin e Krimit dhe Drejtësinë Penale në Abu Dhabi.
Gogu deklaroi se Instituti i Edukimit dhe Rehabilitimit të të Miturve do të jetë plotësisht funksional brenda tremujorit të parë të vitit 2027.
Gogu e nisi fjalimin me një histori njerëzore nga Kruja, ku një i ri i cili kishte shkelur ligjin në moshën 17 vjeçare dhe gjatë dënimit, i mbështetur nga programi i riintegrimit, kishte arritur të merrte shkollimin dhe formimin profesional dhe sot punon dhe siguron jetesën vet.
“Parandalimi i krimit nuk përfundon kur një krim është kryer. Ndonjëherë, pikërisht aty fillon parandalimi”, tha Gogu.
Ministri theksoi se rrjetet kriminale nuk njohin kufij. Sipas tij, përgjigjja duhet të ketë tre shtylla: institucione të forta, bashkëpunim ndërkombëtar dhe konfiskim të pasurive kriminale. Ai bëri të ditur gjithashtu se dy ditë më parë Shqipëria nënshkroi Konventën e OKB-së kundër Krimit Kibernetik.
“Teknologjia duhet ta ndihmojë gjykimin njerëzor. Ajo nuk duhet ta zëvendësojë kurrë”, u shpreh Gogu.
Instituti i ri do ta vendosë fëmijën në qendër dhe do të mbështetet te arsimimi, rehabilitimi dhe riintegrimi. “Një vepër penale e kryer në fillim të jetës nuk duhet të përcaktojë gjithë pjesën tjetër të saj”, përfundoi ministri.

