SHBA e Kina bien dakord: IA do quhet 'superinteligjenca', dialog mbi rreziqet e përfitimet, ulen tarifat për mallrat me vlerë 30 mld $

SHBA e Kina bien dakord: IA do quhet 'superinteligjenca', dialog mbi rreziqet e përfitimet, ulen tarifat për mallrat me vlerë 30 mld $

21:35, 26/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë rënë dakord të ulin tarifat doganore për mallra me vlerë rreth 30 miliardë dollarë dhe të nisin një dialog mbi inteligjencën artificiale, njoftuan të dyja vendet pas vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Uashington, shkruan Reuters.

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë të publikuar të premten, ulja e tarifave do të zbatohet për eksportet amerikane drejt Kinës, përfshirë produktet bujqësore, drurin dhe produktet kozmetike, si dhe për importet nga Kina në SHBA, si pajisje të vogla elektroshtëpiake, lodra dhe artikuj dekorativë.

“Dy vendet arritën një konsensus mbi rekomandimet për trajtim më të favorshëm tarifor për mallra jo të ndjeshme, me vlerë 30 miliardë dollarë në secilin drejtim”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Samiti treditësh mes Xi Jinping dhe presidentit amerikan Donald Trump, i cili përfundoi të premten, u karakterizua më shumë nga diplomacia personale e dy liderëve sesa nga arritja e marrëveshjeve të mëdha publike. Xi është kthyer tashmë në Pekin, raportoi të shtunën agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua.

Të dyja palët ranë gjithashtu dakord të krijojnë një këshill për tregtinë dhe të zgjasin rezultatet e arritura gjatë bisedimeve të mëparshme në Kuala Lumpur, njoftoi Ministria e Jashtme kineze.

Marrëveshja vjen pas vendimit të dy ekonomive më të mëdha të botës për të zgjatur me dy muaj armëpushimin tregtar, i cili pritej të përfundonte më 10 nëntor. Sipas sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, kjo zgjatje do t’u japë palëve më shumë kohë për të punuar drejt një marrëveshjeje potencialisht më të gjerë tregtare.

“Kjo vizitë historike e pasuroi marrëdhënien konstruktive dhe të qëndrueshme Kinë-SHBA, ruajti stabilitetin e përgjithshëm të marrëdhënieve dypalëshe, hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe do të ketë një ndikim afatgjatë në paqen dhe zhvillimin botëror”, tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi në një deklaratë.

Dialog për Inteligjencën artificiale

Në lidhje me inteligjencën artificiale, të dyja palët ranë dakord të zhvillojnë një dialog mbi rreziqet dhe përfitimet e kësaj teknologjie. Raundi i ardhshëm i diskutimeve pritet të zhvillohet në nëntor.

Sipas Ministrisë së Jashtme kineze dhe Shtëpisë së Bardhë, palët do të krijojnë gjithashtu një kanal të posaçëm komunikimi për incidentet që lidhen me inteligjencën artificiale.

Shtëpia e Bardhë tha se liderët kishin rënë dakord të përdornin termin “superinteligjencë” në vend të shprehjes “inteligjencë artificiale”.

Në një deklaratë të veçantë, Ministria e Jashtme kineze tha se Pekini e vlerësonte përdorimin e këtij termi të ri nga Uashingtoni.

“Ndërsa teknologjia e AI vazhdon të përparojë, të dyja palët duhet të intensifikojnë shkëmbimet dhe të punojnë drejt arritjes së konsensusit, në përputhje me zhvillimet e reja”, thuhej në deklaratë.

Të dyja vendet ranë gjithashtu dakord të mbështesin njëra-tjetrën në organizimin e takimeve të liderëve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) dhe samitit të Grupit të 20 vendeve më të industrializuara dhe ekonomive në zhvillim (G20). Të dy liderët planifikojnë të marrin pjesë në aktivitetet e organizuara nga pala tjetër.

Sa i përket politikës së jashtme, të dy liderët ranë dakord se Irani duhet të përmbushë angazhimin e tij për të mos zhvilluar armë bërthamore. Gjithashtu, të dyja vendet deklaruan se asnjë shtet apo entitet nuk duhet të vendosë tarifa tranziti mbi rrugët ujore ndërkombëtare, shkruan Reuters.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco