Rrezikohet dega e hotelerisë në Gjirokastër, regjistrimet e pakta mund të pengojnë hapjen e klasës së turizmit

26/09/2026 22:00

Në shkollën e mesme profesionale “Thoma Papapano”, dega e hoteleri-turizmit rrezikon të mos hapet këtë vit për shkak të numrit shumë të ulët të regjistrimeve.

Edhe pse regjistrimet vijojnë deri në fund të shtatorit, deri tani numri i nxënësve është larg minimumit të nevojshëm për të krijuar klasën.

Shkolla profesionale “Thoma Papapano” pret nxënës nga Gjirokastra dhe i gjithë rajoni jugor, por këtë vit regjistrimet kanë pësuar rënie të ndjeshme.

Të rinjtë që kanë zgjedhur arsimin profesional janë orientuar kryesisht drejt degëve të shërbimit të automjeteve dhe teknologjisë së informacionit, ndërsa hoteleri-turizmi ka mbetur me shumë pak regjistrime.

Drejtuesja e shkollës e lidh këtë situatë edhe me mungesën e një perspektive të qartë për punësimin e profesionistëve të rinj në sektorin e turizmit.

Sipas saj, një mënyrë për të rritur interesin do të ishte që subjektet hoteliere dhe njësitë e shërbimit të detyroheshin të punësonin staf të kualifikuar.

Një tjetër problem, sipas drejtueses së shkollës, është edhe orientimi i nxënësve nga mësuesit e arsimit 9-vjeçar drejt gjimnazeve, në vend të arsimit profesional.

Në një qytet ku turizmi është një nga sektorët kryesorë të ekonomisë, mungesa e interesit për profesionet e hoteleri-turizmit rrezikon të thellojë edhe më shumë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Top Channel