Ish-ministrja socialiste dhe ish-deputetja Ermelinda Meksi ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me skandalin e SHISH, ku drejtuesja Vlora Hyseni në vend që të mbronte sekretet shtetërore, i shpërndante te grupet kriminale.
Meksi shprehet se rasti nuk duhet parë vetëm në këndvështrimin e përgjegjësisë së një individi, por si një provë për mënyrën se si funksionon sistemi që mundëson emërimin dhe verifikimin e personave në poste me akses në informacionet më të ndjeshme të shtetit.
“Çështja Vlora Hyseni nuk duhet të shihet vetëm si çështje e përgjegjësisë së një individi, por si test i sistemit që e përzgjodhi, verifikoi, certifikoi duke i dhënë akses në sekretet më të ndjeshme të shtetit shqiptar”, shkruan Meksi.
Akuzat e ngritura ndaj Vlora Hysenit për nxjerrje të sekretit shtetëror dhe përkrahjes së autorit të krimit, Ergys Agasi, kanë dëmtuar, sipas ekspertëve të sigurisë, edhe reputacionin e Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili kërkon vite punë për t’u rikuperuar.
Hyseni mbajti poste drejtuese mes viteve 2019-2021 në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, AKI, kur ajo u shkarkua në mënyrë të papritur nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani. Vetëm pak muaj pas largimit nga AKI, Hyseni u shfaq në Tiranë si këshilltare për sigurinë e kryeministrit Edi Rama. Për rreth një vit e gjysmë ajo qëndroi larg vëmendjes publike, por më 17 mars 2023 Rama njoftoi se e kishte zgjedhur atë si drejtuesen e re të SHISH, bashkë me një deklaratë të fortë mbështetjeje personale. Emërimi i saj u dekretua nga presidenti Bajram Begaj në prill 2023.
Më 21 shtator Gjykata e Posaçme vendosi të pezullojë nga detyra Hysenin dhe ta vendosë atë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohet për veprat penale të nxjerrjes së sekretit shtetëror dhe përkrahjes së autorit të krimit si pjesë e një hetimi që lidhet me Ergys Agasin, një personazh kontrovers i arrestuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Më 22 shtator u ekzekutua vendimi ndërsa kryeministri Edi Rama dhe presidenti Bajram Begaj firmosën shkarkimin e saj nga detyra.

© SYRI.net
Pasi foli me karriget në sallën e OKB-së, Rama përpiqet të mbajë shqiptarët në ankth: Do të flas në Rinas kur të vij
VIDEO / 'Rama jepe dorëheqjen!' Thirrja oshëtin dhe në stadiumin 'Air Albania', tifozët: Arrestojeni!
Marshimi i protestuesve/ Policia u bllokon rrugën qytetarëve pranë Liqenit Artificial, shkak…