Nga Rebecca Ballhaus, Dana Mattioli, Joe Parkinson dhe Drew Hinshaw, The Wall Street Journal
Një investigim i Wall Street Journal hedh dritë mbi rolin e ambasadores amerikane Kimberly Guilfoyle në promovimin e kompanisë greke "Aktor". Në mars, ajo takoi Kryeministrin Rama në Tiranë, e shoqëruar nga drejtori i kompanisë dhe lobisti i saj. Një muaj më vonë, u kthye për nënshkrimin e marrëveshjes 6 miliardë dollarëshe për furnizimin e Shqipërisë me gaz amerikan.
Kimberly Guilfoyle ishte shumë larg rezidencës Mar-a-Lago.
Ambasadorja amerikane në Greqi — ish-e fejuara e Donald Trump Jr. — udhëtonte vazhdimisht drejt kryeqytetit bullgar këtë pranverë, me një mision të caktuar. Administrata Trump donte që aleatët në skajin lindor të Europës të blinin gaz natyror amerikan me vlerë miliarda dollarë.
Por kishte vetëm një problem.
Qeveria bullgare, u thoshte ajo bashkëbiseduesve, duhej të bashkëpunonte me një kompani greke ndërtimi të quajtur Aktor Group. E sapofutur në biznesin e gazit, kompania ishte bashkuar me një shoqëri greke energjetike me mbështetje shtetërore për të importuar gaz natyror të lëngshëm nga SHBA-ja. “Nuk ka dyshim se ky është, në njëfarë mënyre, qëndrim zyrtar i qeverisë amerikane”, tha një person në dijeni të bisedimeve.
Në një takim me presidentin bullgar, përkrah ambasadores 57-vjeçare qëndronte edhe një 39-vjeçar i quajtur Christos Marafatsos. Ai ka marrë pjesë në aq shumë takime të saj, sa disa zyrtarë të huaj e kanë marrë për shefin e saj të kabinetit. Në të vërtetë, ai është një prej lobistëve kryesorë të Aktor-it, drejtori ekzekutiv i së cilës e kishte dërguar Guilfoyle në Bullgari me avion privat.
Dikur prokurore, e më pas një figurë emblematike e lëvizjes MAGA, Guilfoyle po e shndërron postin e ambasadores në Greqi në një prej roleve më të rëndësishme diplomatike të administratës Trump. Ish-prezantuesja e Fox News ka udhëtuar anembanë Ballkanit për ta ndihmuar Europën të shkëputet nga varësia prej energjisë ruse, përmes një “korridori vertikal të gazit”, që parashikon pritjen e gazit natyror të lëngshëm amerikan në Greqi dhe transportimin e tij me gazsjellës drejt Ukrainës.
Por zyrtarët qeveritarë në rajon kanë mbetur të habitur nga promovimi i saj këmbëngulës i një kompanie të caktuar greke dhe nga përpjekjet e vazhdueshme për të përfshirë Marafatsos-in, një rishtar si në diplomaci, ashtu edhe në energjetikë.
Përvoja e tij e mëparshme përfshin bashkëthemelimin e një kompanie shpërndarjeje fruta-perimesh në zonën e Uashingtonit dhe angazhimin në biznese nga konsulenca për pasuritë e paluajtshme deri te krijimi i një projekti që premtonte “përjetimin më të plotë” të Akropolit përmes teknologjisë IMAX 3D.
Sot, Marafatsos, i rritur në Merilend, shihet shpesh përkrah Guilfoyle. Ai vepron si personi që kontrollon jozyrtarisht qasjen tek ambasadorja dhe e shoqëron në takime në rezidencën e saj, si dhe me zyrtarë qeveritarë në vende të rajonit — një rol krejt i pazakontë për dikë pa funksion zyrtar.
Disa persona që janë takuar me Marafatsos-in dhe ambasadoren, përfshirë zyrtarë qeveritarë, thanë se ai nuk i kishte përmendur lidhjet e veta me Aktor-in.
Në një konferencë në Selanik, në fillim të këtij muaji, ku zyrtarë nga nëntë vende u mblodhën për të diskutuar ecurinë e korridorit vertikal, një gazetar i Wall Street Journal që priste jashtë pa Marafatsos-in dhe Guilfoyle të mbërrinin në sediljen e pasme të një BMW-je të zezë, në krye të autokolonës amerikane. Marafatsos hyri në hotelin MET nga një hyrje më vete, larg fotografëve.
Punonjësit e ambasadës amerikane, që kishin punuar prej vitesh për të çuar përpara korridorin vertikal të gazit, nuk ishin takuar kurrë me drejtues të Aktor-it dhe as e kishin dëgjuar emrin e kompanisë të përmendej si partnere e mundshme, sipas ish-zyrtarëve të Departamentit të Shtetit që ishin marrë nga afër me këtë çështje.
Robin Brooks, diplomate me 21 vjet shërbim, e cila gjatë administratës Biden ishte drejtoreshë për Ballkanin dhe Europën Qendrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, tha se promovimi i një kompanie të huaj nga një ambasadore amerikane është “absolutisht problematik”. Marrja e një lobisti të regjistruar në takime me zyrtarë të huaj, shtoi ajo, “ngre pikëpyetje nëse takimi u shërben interesave amerikane apo ndonjë interesi privat”.
Një zyrtar i ambasadës amerikane tha se ambasadorja kishte udhëtuar në Bullgari “për të çuar përpara interesat amerikane: rritjen e shitjeve të gazit natyror të lëngshëm amerikan te partnerët europianë dhe uljen e varësisë së Europës nga gazi rus”. Sipas tij, ajo kishte vepruar “në përputhje të plotë me udhëzimet e Departamentit të Shtetit” për udhëtimet zyrtare.
Jesse Binnall, avokat i Guilfoyle, tha se ajo ka “punuar me kompani në të gjithë sektorin energjetik” dhe nuk është përqendruar te një kompani e vetme. Sipas tij, takimet e saj zyrtare koordinohen përmes ambasadës, jo përmes Marafatsos-it.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio, në një deklaratë të përcjellë nga Shtëpia e Bardhë, e cilësoi Guilfoyle “jashtëzakonisht të efektshme në promovimin e agjendës së presidentit”. Ai tha se, bashkë me Trump-in, e “vlerësojnë shumë” punën e saj.
Marafatsos tha në një deklaratë: “Jam krenar që mbështes nisma tregtare që u shërbejnë interesave amerikane dhe krijojnë mundësi ekonomike afatgjata në Greqi dhe në Europën Juglindore. Jam mirënjohës për mundësinë që të vë në shërbim përvojën time në biznes dhe rolin tim drejtues në komunitetin greko-amerikan”. Avokati i tij kundërshtoi disa prej raportimeve të Wall Street Journal, por nuk pranoi të jepte hollësi.
Në një letër, avokatët e Aktor-it thanë se Guilfoyle nuk po i promovonte në mënyrë të papërshtatshme interesat tregtare të kompanisë dhe se përfshirja e Aktor-it në korridorin vertikal kishte nisur përpara “çdo kontakti” me ambasadoren. Sipas tyre, Aktor është “një kandidate tërheqëse për të çuar përpara synimet dhe interesat amerikane”, pasi, ndryshe nga disa prej konkurrentëve të saj grekë, nuk ka lidhje me gazin rus.
Guilfoyle ushtron një ndikim jashtëzakonisht të madh në një pjesë të Europës që ka kërkuar me ngulm lidhje më të afërta me administratën Trump. Kur ajo mbërriti në Athinë vjeshtën e kaluar, në dhjetë vende të rajonit kishte vetëm një ambasador amerikan të konfirmuar në detyrë. Kjo ishte pjesë e një mungese të përhapur emërimesh në postet diplomatike, që ka fuqizuar ndjeshëm ata pak të dërguar jashtë vendit që shihen si të afërt me Trump-in.
Në nëntor, Aktor njoftoi krijimin e një shoqërie të përbashkët, Atlantic-SEE LNG, ku do të zotëronte 60% të aksioneve, ndërsa 40% do t’i përkisnin DEPA-s, një kompani greke energjetike e mbështetur nga shteti. Në muajt që pasuan, Aktor dhe shoqëria e përbashkët kanë nënshkruar memorandume mirëkuptimi dhe marrëveshje tregtare me kompani gazi në Bullgari, Ukrainë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Rumani. Një marrëveshje prej 6 miliardë dollarësh, të cilën Guilfoyle e ndihmoi Aktor-in ta siguronte në Shqipëri, nëse realizohet, do të parashikonte që vendi të blinte gaz nga kompania deri në vitin 2050.
Mbetet e paqartë nëse të gjitha marrëveshjet do të realizohen. Të premten, kompania shtetërore ukrainase e gazit i tha Wall Street Journal se negociatat për blerjet e ardhshme nga Atlantic-SEE ishin ndërprerë.
Odiseja e ambasadores
Guilfoyle është kthyer në një simbol të fuqishëm të modelit të ri të diplomacisë amerikane nën Trump-in, ku ndërthuren fama, biznesi dhe gjeopolitika.
Dikur e martuar me guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, Guilfoyle flet për lidhjet e saj të forta me familjen Trump dhe publikon video për afro dy milionë ndjekësit e saj në Instagram. Pamjet e takimeve me udhëheqës rajonalë ndërthuren me ato të pjesëmarrjes në sfilata mode dhe mbrëmje gala të artit në Europë, ku shfaqet me fustane të stolisura me kristale.
Ajo është mike me yllin grek të muzikës pop, Konstantinos Argiros, i cili në një koncert të fundit e dalloi mes publikut teksa bisedonte me Marafatsos-in dhe e rrotulloi në vallëzim nën tingujt e një prej hiteve të tij. Jefferson House, rezidenca zyrtare e ambasadores ku ajo zhvillon shpesh takime, është zbukuruar me portrete të mëdha bardhezi të Guilfoyle, sipas personave që e kanë vizituar.
Disa zyrtarë grekë thonë se janë të kënaqur që vendi i tyre, shpesh i lënë në hije në Uashington, ka vëmendjen e një ambasadoreje që mund të kontaktojë lehtësisht presidentin amerikan.
Por ata druhen edhe se mos prishin marrëdhëniet me të. Në mars, gjatë një darke në Athinë me zyrtarë grekë dhe amerikanë, Guilfoyle u përfshi në një debat me ministrin grek të Energjisë, Stavros Papastavrou, përpara të ftuarve të tjerë. Duke iu referuar rrëzimit të pritshëm të qeverisë rumune, ajo u tha të pranishmëve: “Këtë mund t’ia bëjmë çdo vendi që duam. Mund ta bëjmë edhe këtu”, sipas një pjesëmarrësi në darkë dhe personave të tjerë që ishin vënë në dijeni të ngjarjes. Debati u nxeh dhe Papastavrou iu përgjigj se SHBA-ja nuk mund ta zëvendësonte qeverinë e Greqisë, e cila ishte zgjedhur nga populli. Avokati i Guilfoyle e kundërshtoi këtë përshkrim të debatit.
Emërimi i Guilfoyle në diplomaci erdhi në mes të një ndarjeje që tërhoqi vëmendje të madhe publike.
Ajo nisi lidhjen me Trump Jr. në mesin e mandatit të parë të të atit dhe shpejt u bë një prej mbrojtëseve më të zjarrta të Trump-it. Në fjalimin e saj në kuvendin republikan të vitit 2020, paralajmëroi se demokratët po përpiqeshin t’i skllavëronin amerikanët përmes ideologjisë liberale.
Çifti u fejua përpara se Trump të largohej nga detyra dhe atë pranverë bleu një vilë prej 9,7 milionë dollarësh në Florida. Guilfoyle u angazhua në një sërë sipërmarrjesh: një linjë produktesh për flokët dhe parfumesh me emrin Flor de Maga; biznese shampanje me emra si 1776 Liberté dhe Liberty Dream; si dhe një shërbim medikamentesh për kafshët shtëpiake, PETriot Vet, sipas të dhënave të Zyrës Amerikane të Patentave dhe Markave Tregtare. Më pas, këto marka u braktisën.
Ajo iu bashkua më tej fushatës për rizgjedhjen e Trump-it, duke i bërë thirrje turmës në kuvendin republikan të vitit 2024 të “ngrihej” në mbështetje të tij. Atë verë nisën të shfaqeshin fotografi të Trump Jr. me Bettina Anderson, 39 vjeçe, një figurë e njohur e rretheve mondane të Palm Beach-it. Në dhjetor, Trump, i cili e kishte pasur për zemër Guilfoyle, dha në rrjetet sociale një lajm të papritur: po e emëronte ambasadore në Greqi.
Emërimi i saj erdhi pas lobimit në prapaskenë të njerëzve të afërt me Trump Jr., të cilët mbështesnin dhënien e këtij posti Guilfoyle, sipas personave në dijeni të diskutimeve. Për javë me radhë, Guilfoyle kishte telefonuar njerëz pranë ish-të fejuarit, duke i pyetur se si mund të ribashkoheshin. Disa prej tyre nisën të hidhnin idenë e emërimit të saj si ambasadore në vende të ndryshme.
Greqia e kishte tërhequr prej kohësh Guilfoyle. Miqve u thoshte se i pëlqente rëndësia e vendit në skenën botërore dhe shkëlqimi i tij mondan, duke përmendur Jacqueline Kennedy Onassis, ish-Zonjën e Parë që u martua me një manjat grek të transportit detar pas vrasjes së bashkëshortit. Zyrtari i ambasadës amerikane tha se ambasadorja e kishte kaluar muajin e mjaltit në Greqi dhe kishte folur për dashurinë e saj për vendin që prej kohës kur studionte historinë greko-romake në universitet.
Mediat greke nxorën shpejt nga arkivat edhe deklarata të tjera të saj. Ato kujtuan se, gjatë krizës europiane të borxheve në vitin 2015, Guilfoyle, atëherë bashkëprezantuese në Fox News, kishte thënë se grekët duheshin disiplinuar siç bëhet kur një “qen urinon në tapet”.
“S’ka rëndësi nëse bëni kos të shkëlqyer”, kishte thënë ajo. “Nuk më intereson.”
Presidenti Trump u kishte thënë njerëzve se ia kishte ofruar Guilfoyle postin e ambasadores për hir të të birit: “Duhej ta largoja që këtej”. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë mohoi që presidenti ta kishte thënë këtë.
Njohësi i Greqisë
Pak pas propozimit të saj për ambasadore, Guilfoyle nisi të kalonte më shumë kohë me një burrë i cili e njeh mirë Greqinë.
Faqja personale e Marafatsos-it përmban fotografinë e një shporte me perime, ndërsa e përshkruan atë si bashkëthemelues të një kompanie që shpërndan produkte ushqimore vendase në restorantet e zonës së Uashingtonit. Ai u largua nga kompania afro dy dekada më parë dhe provoi disa sipërmarrje të tjera, përfshirë një firmë investimesh, një shoqëri tashmë të mbyllur me emrin Institute of Investigative and Translational Medicine, si dhe kompaninë e ndërtimit të familjes, ku shërbeu si zëvendëspresident, sipas regjistrave të biznesit dhe faqeve të kompanive.
Mundësia e tij e madhe në politikë erdhi në vitin 2015, në prag të kandidimit të parë presidencial të Trump-it, kur iu bashkua fushatës që sapo po merrte formë. Më vonë u bë kryetar i grupit Greek Voices for Trump.
Marafatsos, i cili jeton në Virxhinia me familjen e tij dhe fëmijët e vegjël, i tha një gazete greke se e kishte njohur Guilfoyle në fillimet e angazhimit politik të Trump-it. Në muajt pas propozimit të saj për ambasadore, ai u bë këshilltar i afërt. Të dy u panë bashkë gjatë ceremonive të inaugurimit, përfshirë një aktivitet në nder të komunitetit greko-amerikan, ku Marafatsos qëndronte pas saj ndërsa ajo fliste.
Në një pritje për Ditën e Pavarësisë së Greqisë në Shtëpinë e Bardhë, në mars, Trump e ftoi Guilfoyle të merrte fjalën — “Ajo e përfaqëson shumë mirë kulturën greke, jua them unë” — dhe e veçoi edhe Marafatsos-in. “Djalë i pashëm”, deklaroi presidenti.
Marafatsos e përgatiti Guilfoyle për seancën e konfirmimit përpara Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha një person në dijeni të çështjes. Më pas, ajo publikoi fotografi të vetes në sallën e seancës me mbështetësit e saj, përfshirë Marafatsos-in, duke shkruar: “Mirënjohëse që jam e rrethuar nga miq dhe familjarë të jashtëzakonshëm”. Ai mori pjesë edhe në ceremoninë e betimit të saj atë shtator.
Ndërsa Guilfoyle përgatitej të shpërngulej në Athinë, si ajo, ashtu edhe Marafatsos vazhdonin të ndiqnin sipërmarrjet e veta.
Rreth kohës së konfirmimit në detyrë, ajo kërkoi investime për Polished Rice, një kompani vodke që kishte themeluar një vit më parë. Sipas një personi në dijeni të çështjes, të paktën një biznesmeni greko-amerikan i propozoi të investonte 3 milionë dollarë.
Marka e vodkës planifikonte të prezantohej më 2 korrik, në një “aktivitet ndërkombëtar me të ftuar VIP” në Greqi, sipas një padie që Polished Rice ngriti më vonë kundër prodhuesit të saj. Po atë ditë, Guilfoyle organizoi në Athinë një festim për Ditën e Pavarësisë së SHBA-së. Plani dështoi pasi, sipas pretendimeve në padi, ngarkesa mbërriti me shishe të thyera dhe etiketa të dëmtuara.
Avokati i Guilfoyle mohoi që ajo të kishte kërkuar një investim prej 3 milionë dollarësh dhe tha se, që prej hyrjes në shërbimin publik, nuk ishte marrë me sipërmarrje private.
Përpara betimit të Guilfoyle, Marafatsos ua ofroi shërbimet e veta kompanive greke të energjisë dhe transportit detar. Në prezantimet për drejtuesit e tyre, ai vinte në pah lidhjen me ambasadoren e ardhshme dhe rendiste kompani me të cilat pretendonte se punonte, përfshirë gjigantë të energjisë në rajon si Copelouzos dhe Metlen, sipas një personi të cilit i ishte bërë një ofertë e tillë.
Përfaqësues të të dyja kompanive thanë se nuk e kishin kontraktuar kurrë Marafatsos-in.
Një tjetër klient me të cilin ai mburrej ishte Aktor.
Mbërritja në Athinë
Guilfoyle e takoi për herë të parë Alexandros Exarchou-n, drejtorin ekzekutiv të Aktor-it, më 1 nëntor, ditën kur mbërriti në Athinë, thanë avokatët e kompanisë.
Më 5 nëntor, Marafatsos nisi zyrtarisht të punonte si lobist për Aktor-in në SHBA, sipas regjistrave federalë të lobimit. Deri në qershor të këtij viti, kompania i kishte paguar 160 mijë dollarë për të “vendosur lidhje” me Zyrën Ekzekutive të Presidentit, Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Energjisë.
Ishte hera e parë që Marafatsos regjistrohej si lobist në SHBA.
Avokatët e Aktor-it thanë se kompania e kontraktoi Marafatsos-in pasi Exarchou mori pjesë, në shtator 2025, në një drekë të përfaqësuesve kryesorë të sektorit energjetik grek me sekretarin amerikan të Brendshëm, Doug Burgum, ku u diskutua korridori vertikal i gazit. Pas drekës, Exarchou kontaktoi DEPA-n, kompaninë greke të mbështetur nga shteti, dhe propozoi krijimin e një shoqërie të përbashkët që do të “udhëhiqte përpjekjet për furnizimin e Europës Juglindore me gaz natyror të lëngshëm me origjinë joruse”, thanë avokatët.
Marafatsos shtoi më pas edhe tri kompani të tjera me lidhje greke në listën e klientëve të tij të lobimit, përfshirë një kompani energjetike dhe një kompani transporti detar e infrastrukture. Brenda nëntë muajve, ai deklaroi mbi 440 mijë dollarë të ardhura nga lobimi në SHBA.
Marafatsos ka qenë shpesh i pranishëm në takimet me Guilfoyle, si në rezidencën e ambasadores, ashtu edhe në vende të tjera. Ajo shpesh e prezanton thjesht me fjalët “Ky është Christos-i”, ndërsa ai flet rrallë, përveç rasteve kur ambasadorja i kërkon të japë mendimin e vet, sipas personave që kanë marrë pjesë në takime me të dy. Guilfoyle shpesh u kërkon bashkëbiseduesve që informacionet shtesë t’ia përcjellin përmes Marafatsos-it.
Një investitor u takua me Guilfoyle dhe Marafatsos-in për të kërkuar ndihmën e ambasadores lidhur me mundësi investimi në sektorin energjetik, përfshirë mundësinë e sigurimit të investimeve nga Aktor. Në përfundim të takimit, iu tha që kontaktet e mëtejshme t’i mbante me Marafatsos-in. Investitori u habit kur mësoi më vonë se Marafatsos punonte për kompaninë dhe nuk ia kishte bërë të ditur këtë.
Brenda pak javësh nga kontraktimi i Marafatsos-it, Aktor fitoi qasje shumë më të madhe në administratën Trump.
Në një konferencë të mbajtur në Greqi në nëntor, ku morën pjesë anëtarë të kabinetit amerikan, përfshirë Burgum-in dhe sekretarin e Energjisë, Chris Wright, shoqëria e përbashkët e Aktor-it dhe DEPA-s njoftoi se kishte nënshkruar një marrëveshje 20-vjeçare me kompaninë amerikane Venture Global për blerjen e gazit natyror të lëngshëm amerikan, duke nisur nga viti 2030.
Guilfoyle pozoi me Exarchou-n dhe të tjerë, ndërsa shoqëria e re nënshkruante marrëveshje bashkëpunimi, ndër të tjera, me Rumaninë dhe kompaninë ukrainase Naftogaz.
Një zëdhënëse e Venture Global tha se kompania ishte takuar me Aktor-in dhe DEPA-n për të diskutuar një marrëveshje të mundshme furnizimi pasi kishte zhvilluar një takim me Guilfoyle për korridorin vertikal. Ajo shtoi se kompania kishte marrëdhënie tregtare me DEPA-n prej vitesh.
Kompani të tjera amerikane të gazit natyror të lëngshëm, që nuk kanë nënshkruar marrëveshje me Aktor-in, thonë se e kanë pasur të vështirë të tërheqin vëmendjen e Guilfoyle. Jonathan Bass, drejtori ekzekutiv i Argent LNG, me seli në Luiziana dhe konkurrente e Venture Global, tha se Guilfoyle e kishte shpërfillur kompaninë. I pyetur nëse ajo e kishte promovuar Argent-in në ndonjë prej bisedimeve të veta, ai u përgjigj: “Jo. Ajo ka të preferuarit e saj”.
Avokati i Guilfoyle tha se pretendimi që ambasada e kishte shpërfillur Argent-in ishte i pavërtetë.
Në dhjetor, Exarchou mori pjesë në një mbrëmje në Qendrën Kennedy dhe pozoi për një fotografi me Trump-in. Në samitin e Davosit, në Zvicër, në janar, ai u takua me Guilfoyle dhe bëri një fotografi me Eric Trump-in, djalin e presidentit. Një zëdhënëse e Eric-ut tha se ai “nuk e ka idenë se kush është ky person”.
Në shkurt, Exarchou u kthye në Uashington bashkë me Guilfoyle dhe iu bashkua ministrave të Energjisë të Greqisë dhe Bullgarisë në një darkë te Joe’s Seafood, një restorant që shërben mish dhe prodhime deti përballë Shtëpisë së Bardhë. Sipas personave në dijeni të darkës, të ftuarve iu kërkua që, me radhë rreth tryezës, të tregonin se si e kishin njohur ambasadoren ose të ngrinin një dolli për të. E pranishme ishte edhe stilistja e saj, Fancy James, e cila publikon fotografi të Guilfoyle me hashtagun #ambassador.
Gjatë asaj vizite, Exarchou u takua edhe me shefen e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, tha një prej personave në dijeni.
Në konferencën e ditës pasardhëse, shoqëria e përbashkët e Aktor-it nënshkroi memorandume të reja mirëkuptimi me kompani gazi në Bullgari, Ukrainë, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Në mars, Guilfoyle zhvilloi një vizitë të papublikuar në kryeqytetin shqiptar, ndërsa qeveria e vendit po përpiqej të forconte lidhjet me Shtëpinë e Bardhë.
Ajo mbërriti në mbrëmje me një fuoristradë të zezë, e pashoqëruar nga asnjë punonjës ambasade. Marafatsos dhe Exarchou e shoqëruan në takimin me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ku ajo i propozoi Shqipërisë bashkëpunim në fushën e energjisë.
Disa javë më vonë, qeveria shqiptare mori një email nga Këshilli Kombëtar për Dominimin Energjetik i administratës Trump, ku sugjeroheshin kompani të interesuara për të bashkëpunuar me Shqipërinë për blerjen e gazit amerikan. E vetmja marrëveshje që ofrohej ishte me Venture Global, furnizuesin amerikan të gazit natyror të lëngshëm që kishte nënshkruar me Aktor-in disa muaj më parë, tha ministri i Energjisë, Enea Karakaçi: “Shikoni, nuk besoj se në atë email kishte, le të themi, shumë kompani”.
Në prill, Guilfoyle u kthye në Shqipëri, këtë herë për ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje 20-vjeçare me vlerë 6 miliardë dollarë. Marrëveshja parashikon që kompania shtetërore e gazit të blejë çdo vit një miliard metra kub gaz të furnizuar nga Venture Global, përmes një filiali në SHBA që Aktor e kishte regjistruar vetëm pak javë më parë. Avokatët e Aktor-it thanë se të gjitha marrëveshjet e kompanisë për gazin natyror të lëngshëm zbatohen nga Atlantic-SEE.
Në qershor, Atlantic-SEE njoftoi se po dyfishonte sasinë e gazit që do të blinte nga Venture Global.
Aktor vlerëson se fitimi para tatimit nga marrëveshjet për gazin natyror të lëngshëm që ka nënshkruar ose që “janë në proces për t’u nënshkruar” do të arrijë në 1,8 miliardë euro gjatë një periudhe 20-vjeçare.
Në konferencën e Selanikut, në fillim të këtij muaji, ndërsa Guilfoyle përgatitej për fjalimin e saj në një sallë anësore, Marafatsos nxori kokën nga dera për të biseduar me delegatët.
Përpara se të ngjitej në skenë për panelin “Siguria energjetike, bashkëpunimi rajonal dhe partneritetet strategjike”, ajo ia dha telefonin Marafatsos-it. (Avokati i Guilfoyle tha se ai ia mbajti telefonin personal, sepse fustani i saj nuk kishte xhepa.)
Gjatë fjalës së saj, ajo vlerësoi marrëveshjen mes Atlantic-SEE dhe Venture Global dhe u mburr me përparimin e bërë për korridorin vertikal, duke e cilësuar si “diçka që, të them të drejtën, nuk e kemi parë kurrë më parë”.
Ndërsa Marafatsos e ndiqte nga salla, ajo iu drejtua publikut me shaka: “S’ka përse, Greqi.”
Lini një Përgjigje