Sot pranë Liqenit të Farkës zhvillohet gara e notit, çiklizmit dhe vrapimit “Tiranathlon”, ndërsa qarkullimi i mjeteve do të kufizohet nga ora 08:00 deri në 13:00 në disa akse të kryeqytetit, nga zona e Farkës dhe TEG-ut deri në Shkozë.
Për zhvillimin e aktivitetit, Bashkia e Tiranës ka përcaktuar planin e masave dhe akset ku do të kufizohet lëvizja e automjeteve.
Kufizimet do të përfshijnë rrugën “Daxhit”, nga kryqëzimi me rrugën “Xhelal Molla” deri te kryqëzimi me rrugën e “Vrapëve”, si dhe rrugën “Dëshmorët e Helikopterëve”. Qarkullimi do të kufizohet edhe në bulevardin “Zhan D’Ark” dhe bulevardin “Bajram Curri”, në segmentin nga ura e Shkozës deri te kryqëzimi me rrugën “Selman Riza” dhe rrugën “Kastriot Feska”.
Masa do të ketë edhe në rrugën interurbane kryesore në segmentin TEG–Ura e Shkozës, si dhe në një pjesë të Unazës së Madhe, nga nyja e Rrethrrotullimit të Freskut deri në TEG. Në këtë segment, automjetet do të devijohen drejt Rrethrrotullimit të Freskut dhe më pas do të vijojnë lëvizjen përmes rrugës “Xhanfize Keko”.
Ndryshime të përkohshme do të ketë edhe për transportin urban. Linja 10/A, “Materniteti i Ri – Qendër – Ish Fusha e Aviacionit”, do të devijohet te ura e Brrylit, ndërsa linja 10/C, “Rrethrrotullimi Shkozë – Ish Fusha e Aviacionit”, do të pezullohet përkohësisht.
Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe i Policisë së Shtetit do të vijojë normalisht në të gjitha itineraret e përfshira në masat e përcaktuara për zhvillimin e garës.

