Tirana do të presë këtë të diel aktivitetin sportiv “Tiranathlon 2026”, një garë që bashkon tre disiplina sportive: notin, çiklizmin dhe vrapin.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka hartuar një plan masash për kufizimin dhe devijimin e qarkullimit të automjeteve gjatë zhvillimit të garës.
Kufizimet e qarkullimit do të jenë në fuqi më 27 shtator 2026, nga ora 08:00 deri në 13:00, në disa segmente rrugore.
Rrugët ku do të kufizohet qarkullimi
Rruga “Daxhit”, nga kryqëzimi me rrugën “Xhelal Molla” deri te kryqëzimi me rrugën e “Vrapëve”, duke përfshirë edhe rrugën “Dëshmorët e Helikopterëve”.
Bulevardi “Zhan D’Ark” dhe Bulevardi “Bajram Curri”, në segmentin nga ura e Shkozës deri te kryqëzimi me rrugën “Selman Riza” dhe rrugën “Kastriot Feska”.
Rruga interurbane kryesore TEG–Ura e Shkozës.
Segmenti i Unazës së Madhe, nga nyja e rrethrrotullimit të Freskut drejt TEG-ut. Devijimi i automjeteve do të bëhet në drejtim të rrethrrotullimit të Freskut, me dalje në rrugën “Xhanfize Keko”.
Gjatë zhvillimit të aktivitetit do të ketë ndryshime edhe në itineraret e disa linjave të transportit publik:
Linja 10/A “Materniteti i Ri – Qendër – Ish-Fusha e Aviacionit” do të devijohet përkohësisht te Ura e Brrylit.
Linja 10/C “Rrethrrotullimi Shkozë – Ish-Fusha e Aviacionit” do të pezullohet përkohësisht.
Autoritetet bëjnë me dije se qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe i Policisë së Shtetit do të vijojë normalisht në të gjitha itineraret e prekura nga masat.
Masat do të zbatohen nga strukturat përkatëse të Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore.