
Pas katër muajsh hetime, Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Shkolla të Pastra”, duke goditur disa grupe që dyshohet se shisnin drogë pranë shkollave 9-vjeçare e të mesme dhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Sipas policisë, hetimet kanë identifikuar 52 persona të përfshirë në këtë veprimtari.
Për 31 prej tyre janë ekzekutuar masa sigurie “arrest në burg”, shtatë janë arrestuar gjatë fazës hetimore, ndërsa 14 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Për të shmangur vëmendjen e policisë, të dyshuarit përdornin në disa raste monopatina, taksi dhe shërbime delivery për shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Gjatë hetimit dhe ekzekutimit të masave të sigurisë janë sekuestruar mbi 1 kilogram heroinë, mbi 1.2 kilogramë kokainë dhe 685 gramë kanabis.
Policia ka sekuestruar gjithashtu një pistoletë, 90 fishekë, 12 automjete, 35 telefona celularë dhe dy peshore elektronike.
Hetimet vijojnë për kapjen e 14 personave në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.
31 personat për të cilët u ekzekutua masa “arrest në burg”: Genti Jaupi, Endrit Balla, Eduart Oleff, Bledar Kasa, Erlind Vlashi, Denis Shoti, Armando Koçi, Ernest Hamollari, Janaq Nakuçi, Shpëtim Çiçiku, Engrid Henaj, Enis Maliqaj, Franci Papajani, Klement Metallari, Ram Tafaj, Klajdi Malaj, Isuf Dine, Ferit Xhani, Bestar Malaj, Igli Avxhi, Arnold Lila, Sefer Allushi, Elton Tola, Arbias Prenga, Vilson Mete, Durim Matja, Eljado Prendaj, Nikolla Shkarpa, Armando Kuqi, Taulant Alstafa dhe Volf Ramadani.
Shtatë personat e arrestuar më herët: Ksainel Caka, Gëzim Muhameti, Zhuljan Prenci, Erald Tafani, Darlin Shahinas, Donaldo Frate dhe Marin Tabaku.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet pas 4 muajsh hetime, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “SHKOLLA TË PASTRA”.
Goditen disa grupe që shisnin lëndë narkotike në afërsi të shkollave.
Identifikohen 52 shtetas, pjesëtarë të grupeve, të cilët, të veçuar ose në grupe, shisnin lëndë narkotike, të llojeve të ndryshme, pranë shkollave dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Ekzekutohen 31 masa sigurie “Arrest në burg” për pjesëtarë të grupeve.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 14 shtetasve të tjerë.
Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar 7 shtetas.
Gjatë periudhës hetimore dhe gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë janë sekuestruar 1 kg e 75 gramë heroinë, 1 kg e 265 gramë kokainë, 685 gramë Cannabis Sativa, 1 armë zjarri pistoletë, 90 fishekë, 2 peshore elektronike, 12 automjete, 35 telefona celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në kuadër të operacionit të koduar “SHKOLLA TË PASTRA”, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg” për 31 shtetas dhe konkretisht:
G. J., 48 vjeç; E. B., 34 vjeç; E. O., 48 vjeç; B. K., 41 vjeç; E. V., 27 vjeç; D. Sh., 30 vjeç; A. K., 32 vjeç; E. H., 29 vjeç; J. N., 29 vjeç; Sh. Ç., 45 vjeç; E. H., 39 vjeç; E. M., 21 vjeç; F. P., 22 vjeç; K. M., 22 vjeç; R. T., 19 vjeç; K. M., 33 vjeç; I. D., 35 vjeç; F. Xh., 36 vjeç; B. M., 22 vjeç; I. A., 21 vjeç; A. L., 21 vjeç; S. A., 31 vjeç; E. T., 49 vjeç; A. P., 34 vjeç; V. M., 43 vjeç; D. M., 52 vjeç; E. P., 33 vjeç; N. Sh., 32 vjeç; A. K., 37 vjeç; T. A., 24 vjeç dhe V. R., 23 vjeç.
Gjatë fazës hetimore janë ndaluar dhe 7 shtetas të tjerë, konkretisht shtetasit K. C., G. M., Zh. P., E. T., D. Sh., D. F. dhe M. T.
Ndërkohë, 14 shtetasit e tjerë të identifikuar nga hetimet, si pjesë e këtyre grupeve, janë shpallur në kërkim dhe, për arsye se hetimi vijon, nuk bëhen me dije gjeneralitetet e tyre. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Nga hetimet është dokumentuar se këto grupe shisnin lëndë narkotike pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme dhe në zona të ndryshme të Tiranës.
Në disa raste, për të shmangur vëmendjen e shërbimeve policore në terren, lënda narkotike shpërndahej nëpërmjet monopatinave, si dhe shërbimeve taxi dhe delivery.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës është e fokusuar maksimalisht në garantimin e sigurisë në shkolla dhe në luftën ndaj fenomeneve kriminale, si dhe siguron prindërit dhe qytetarët se do të intensifikojë kontrollet dhe hetimet për parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale që cenon sigurinë e nxënësve.Versus.al

