Operacioni “Shkollat e pastra” ka çuar në ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg” për 31 shtetas, ndërsa 14 të tjerë janë shpallur në kërkim, në kuadër të goditjes së shpërndarjes së lëndëve narkotike, veçanërisht në afërsi të institucioneve arsimore.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, vlerësoi operacionin e fundit të Policisë së Shtetit, duke theksuar bashkëpunimin me Prokurorinë, hetimin profesional dhe përdorimin e metodave speciale të hetimit.
“Shkollat e pastra”, një operacion i suksesshëm, falë bashkëpunimit me Prokurorinë, hetimit profesional dhe përdorimit të metodave speciale”, shkroi ministri Demo në rrjetet sociale.
Ai theksoi se goditja e shpërndarjes së drogës, veçanërisht pranë shkollave, mbetet një prioritet i Policisë së Shtetit në Tiranë dhe në të gjithë vendin.
“Në çdo shkollë, në çdo qytet, në çdo cep të Shqipërisë, Policia e Shtetit do të jetë aty për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë”, u shpreh ministri i Punëve të Brendshme.
Lini një Përgjigje