Një vrasje brutale e kryer kur ishte vetëm 18 vjeçe mund ta çojë Christa Pike-un drejt ekzekutimit, 31 vjet më vonë. Nw moshwn 50 vjeçe, ajo pritet të ekzekutohet me injeksion vdekjeprurës më 30 shtator në Tennessee, një shtet në SHBA. Por vetëm pak ditë para ekzekutimit, avokatët po përpiqen ta shpëtojnë, duke sjellë në vëmendje një tjetër anë të jetës së saj: Pike kishte kaluar një fëmijëri me abuzime seksuale, dhunë, braktisje dhe neglizhencë.
Krimi për të cilin u dënua ndodhi në vitin 1995. Pike dhe i dashuri i saj i atëhershëm, Tadaryl Shipp, rrahën, torturuan dhe vranë Colleen Slemmer, vetëm 19 vjeçe. Ata e kishin njohur në një kamp trajnimi pune për adoleshentë me probleme.
Rasti tronditi Knoxville në atë kohë. Në gjoksin e Colleen ishte gdhendur një pentagram, simbol i lidhur me ritualet satanike. Pike e kishte akuzuar 19-vjeçaren se e kishte fyer dhe se po përpiqej t’i merrte të dashurin.
Dy persona të tjerë në kamp dëshmuan më pas se Pike ishte mburrur për vrasjen para dhe pas krimit, madje u kishte treguar një pjesë të kafkës së Colleen.
Një vit më vonë ajo u dënua me vdekje. Shipp, i cili në kohën e krimit ishte 17 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm me mundësi lirimi me kusht.
Tani, pas vitesh përpjekjesh të pasuksesshme në gjykata, Pike është vetëm pak ditë larg ekzekutimit. Nëse dënimi zbatohet, ajo do të bëhet gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee në më shumë se 200 vjet. Në të gjithë SHBA-në, që prej viteve 1970 janë ekzekutuar 18 gra dhe 1,663 burra.
Por avokatët e saj kërkojnë që dënimi të ndryshohet dhe kanë paraqitur një kërkesë prej 226 faqesh për falje. Edhe ekspertë të OKB-së për të drejtat e njeriut kanë kërkuar ndalimin e ekzekutimit.
Në qendër të betejës së mbrojtjes është fëmijëria e Pike. Një psikologe mjekoligjore e angazhuar nga avokatët e saj që në vitin 1995 kishte konstatuar se ajo ishte neglizhuar rëndë nga të dy prindërit dhe ishte abuzuar fizikisht e seksualisht nga disa prej bashkëshortëve dhe të dashurve të nënës së saj.
Sipas raportit, Pike ishte përdhunuar disa herë, mes tyre kur ishte 11 dhe 17 vjeçe. Më vonë u zbulua se ajo ishte përdhunuar në mënyrë të përsëritur që kur ishte shumë e vogël nga i dashuri i gjyshes së saj. Psikologia Diana McCoy tha se nëna e Pike nuk e kishte besuar kur ajo kishte treguar për përdhunimet.
Avokatët e saj argumentojnë se juria që e dënoi nuk pati mundësinë të njihte të gjithë historinë e saj. Psikologia McCoy nuk u thirr për të dëshmuar gjatë procesit dhe nuk u paraqitën shumë nga dëshmitarët që ajo kishte rekomanduar.
Në vitin 2021, Pike u diagnostikua në burg me çrregullim bipolar dhe nisi trajtimin me ilaçe. Një psikologe tjetër mjekoligjore që e vlerësoi në vitin 2023 tha se ajo kishte kaluar një fëmijëri të mbushur me abuzim fizik, seksual dhe emocional.
Gjykatat, megjithatë, nuk i kanë pranuar argumentet e mbrojtjes si arsye për ndryshimin e dënimit. Një gjykatë federale apeli vlerësoi se juria kishte dëgjuar gjatë gjyqit për fëmijërinë e vështirë të Pike dhe se provat e reja për çrregullimin bipolar, stresin post-traumatik dhe dëmtimin e trurit nuk do ta kishin ndryshuar vendimin.
Edhe këtë javë, Gjykata e Lartë e Tennessee refuzoi kërkesën për pezullimin e ekzekutimit.
Vendimi që mund ta shpëtojë tashmë është falja nga guvernatori i Tennessee, Bill Lee. Deri tani, ai nuk ka dhënë asnjë falje në një çështje me dënim me vdekje.
Në krahun tjetër është nëna e Colleen, e cila prej më shumë se tri dekadash pret ekzekutimin e gruas që i vrau vajzën.
“Ajo e kreu krimin. Mendoj se duhet të paguajë për të”, ka thënë May Martinez.
“Zemra më thyhet çdo ditë, sepse vazhdoj ta rijetoj dhe ta rijetoj. Nuk mundem më dhe dua që kjo të ndodhë para se të vdes”, tha ajo, duke shtuar se dëshiron që vajza e saj “më në fund të prehet e qetë”.
Pike ndërkohë ka bërë edhe një kërkesë për ditën e ekzekutimit: dëshiron që ekipi që do të merret me të të përbëhet vetëm nga gra. Ajo thotë se mbajtja me forcë nga burra do t’i rikthente traumën. Autoritetet kanë thënë se synojnë që gardiane gra ta transferojnë drejt burgut ku do të kryhet ekzekutimi, por nuk e kanë garantuar këtë.
Pike gjithashtu nuk dëshiron që njerëzit e saj të afërt ta shohin teksa ekzekutohet.
“Ajo nuk dëshiron që ne ta përjetojmë këtë”, tregoi mikja e saj Ashlee Sellars.
Për Sellars, historia mbetet mes dy realiteteve: dhimbjes së familjes së Colleen dhe bindjes së saj se edhe Pike meriton një mundësi për shpengim.
“Njerëzit duan të dinë se jeta e secilit ka rëndësi. Duan të dinë se jeta e Colleen kishte rëndësi. Christa, në këtë moment, mendoj se po lufton shumë më tepër që jeta e saj të ketë rëndësi sesa për të jetuar vetë" ”, tha ajo









Komente
Komento