Luan Hasani, djali i vogël 4 vjeçar me një talent të veçantë për futbollin, ditën e djeshme ishte në stadiumin Air Albania. U takua me idhullin e tij të kombëtares shqiptare Kristjan Asllani.
I shoqëruar nga babai i tij, Labinot Hasani, Luani i vogël u përqafua me Kristianin, mori fanellën e kombëtares shqiptare me nënshkrimet e lojtarëve, hyri në stadiumin Air Albania pak përpara ndeshjes, e po ashtu, në dhomat e zhveshjes së futbollistëve tanë.
Luan Hasani ka qenë fenomen që në moshën 2 vjeçare. I ati, i cili bashkëshoqëron djalin e tij në çdo moment ka thënë për mediat se rritja e tij në rrjetet sociale ndodhi papritur, e sot numëron me miliona ndjekës në TikTok, Instagram apo Youtube.
Është fenomen dhe videot e tij kanë marrë vëmendjen edhe të personaliteteve të shumta, nga aktorja Sharon Stone, tek presidenti i FIFA Gianni Infantino.
Menjëherë filluan edhe ofertat e marketingut, por i ati thotë se gjithçka nisi për pasion, jo për para. Ditën e djeshme realizoi ëndrrën e tij, duke parë fitoren e Shqipërisë në ndeshje me Bjellorusinë. Pak përpara kësaj ndeshjeje, ai u takua me idhullin e tij Kristjan Asllani me të cilin realizoi edhe videon e radhës.
