Nëntë persona janë arrestuar sot në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “krime lufte kundër popullsisë civile”, në një operacion që sipas autoriteteve lidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës bënë të ditur se arrestimet u kryen në kuadër të operacionit të koduar “Dosja 23”.
Operacioni u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me mbështetjen e njësive të tjera të specializuara policore dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale.
“Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar 9 persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’”, thuhet në komunikatë.
Rasti i njohur si “Grupi i intelektualëve” lidhet me zhdukjen e 23 personave më 19 prill të vitit 1999. Sipas raportimeve të mëparshme, ata u ndaluan nga forcat serbe gjatë rrugës për në Mal të Zi. Në mesin e tyre kishte doktorë, profesorë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare.
23 personat e raportuar si pjesë e këtij grupi janë: Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkëlzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu dhe Xhemail Meziu.









Komente
Komento