Për tre muajt e verës, Shëngjini dhe Talja ishin plazhet më të frekuentuara të Lezhës.

Të dhënat zyrtare të bashkisë tregojnë se 70% e pushuesve u akomoduan në hotele e resorte, 25% ishin vizitorë ditorë dhe 5% qëndruan në apartamente me qira.

"Pjesën më të madhe të turistëve e përbëjnë shqiptarët nga Kosova, të cilët zënë rreth 65% të totalit të pushuesve. Ndërsa turistët e huaj përbëjnë rreth 20% të numrit të përgjithshëm”, thotë Renaldo Xhani, drejtor i Turizmit në Lezhë.

Përveç bregdetit, rritje ka njohur dhe turizmi kulinar, që numëron mbi 280 mijë vizita, ku vetëm te 'Mrizi i Zanave' u regjistruan rreth 150 mijë.

Kalaja e Lezhës, Memoriali i Skënderbeut, Muzeu Etnografik dhe ai Arkeologjik tërhoqën rreth 32 mijë vizitorë.  Ndërsa destinacionet natyrore si Kune-Vaini, Rana e Hedhun dhe zonat malore numërojnë mbi 70 mijë vizita.

Bashkia e Lezhës bën të ditur për Report TV se nga janari deri në shtator 2026, janë regjistruar 1 milion e 532 mijë vizita turistike. Por kjo shifër nuk tregon numrin e personave unikë, pasi i njëjti vizitor mund të ketë kryer disa vizita gjatë sezonit veror. Sidoqoftë, rritja prej 14 për qind mbetet evidente pasi në të njëtën periudhë të vitit te kaluar, u regjistruan 1 milion e 343 mijë vizita turistike.